GREQI-Vetëm 10 ditë nga vrasja e Jani Aliajt në qeli, një tjetër shqiptarështë plagosur rëndë ditën e sotme në burgun e Malandrinos në Greqi. Raportohet se 46-vjeçari Dhimitër Meci është qëlluar me një thikë të improvizuar, nga i burgosuri grek N. E, i akuzuar për organizatë kriminale, i cili punonte në mensën e burgut.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur pikërisht sot, kur Meci u transferua nga burgu i Koridhalos në Malandrino. Që prej arrestimit të tij në fillim të dhjetorit 2025, Meci mbahej në repartin psikiatrik të burgut të Koridhalos. Mediat greke bëjnë me dije se sulmi ndodhi gjatë përfundimit të procedurës së pranimit në burg. Para se të mund të dërgohej në krahun ku ishte planifikuar të mbahej, ai u sulmua papritur nga një tjetër i burgosur, i cili iu afrua dhe e qëlloi disa herë me thikë të improvizuar.
Dhimitër Meçi, i njohur shkurt si Dhimo, u vu në pranga në dhjetor pas një operacioni të së ashtuquajturës “FBI” greke, bashkë me 5 persona të tjerë, 3 shqiptarë e dy grekë, mes tyre një femër. Ata akuzohen për ngjarjen e 16 majit 2025, kur nga një motor u hap zjarr ndaj automjetit tip “Mercedes-Benz” të blinduar të 41-vjeçarit Giannis Lalas. Ndaj tij u qëllua rreth 40 herë, por makina e blinduar i shpëtoi. Ngjarja u shënua në Ano Liosia të Athinës, ku shënjestra u ndoq nga dy atentatorët./ZËRI