TIRANË-Qumështi formulë për foshnja po vijon të tërhiqet nga tregu. Vetëm disa ditë pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi për tërheqjen nga tregu produktin “NAN 1 OPTIPRO” edhe ushqimi për fëmijë “Aptamil AR2”, është hequr nga tregu. Ndalimi vjen pasi në produkt është identifikuar prania e substancës Cereulide, një toksinë e rrezikshme për shëndetin.
“Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar serioz, firma ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit, APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi, ENG 24 x 400 gr. Prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone”, ka njoftuar AKU.
Në një njoftim, edhe biznesi Rossmann Lala, njofton qytetarët që kanë blerë qumësht Aptamil, të mos e përdorin atë dhe ta kthejnë në pikat e shitjes duke u rimbursuar.

ZËRI ishte media e parë në Shqipëri që denoncoi në dokumentarin “Qumështi i Ndaluar”, fenomenin e përhapur masivisht në Shqipëri të promovimit të qumështit formulë. Rreth dy vite pas këtij denoncimi, shqetësimet e ngritura nga ZËRI u reflektuan në një rast konkret: tërheqjen nga tregu të qumështit formulë “NAN 1 OPTIPRO”, pasi u konstatua prania e bakterit cereulide, i cili shkakton probleme serioze gastrointestinale tek foshnjat dhe sot edhe me tërheqjen e “Aptamil AR2”. Rastet tregojnë se rreziku nuk është teorik, por real. Produktet që promovohen gjerësisht në rrjete sociale dhe rekomandohen shpesh pa analiza të thelluara dhe pa udhëzimin e specialistëve mund të përbëjnë një kërcënim për shëndetin e fëmijëve.
Sipas Reuters, shqetësimet e para për produktet e bebeve u shfaqën në dhjetor, por u përshkallëzuan në fillim të janarit, kur Nestlé njoftoi tërheqjen e disa serive të produkteve për ushqimin e foshnjave, përfshirë formulat SMA, BEBA dhe NAN, për shkak të ndotjes së mundshme me toksinën cereulide, e cila mund të shkaktojë të përziera dhe të vjella.
Tërheqjet nga tregu kanë prekur dhjetëra vende dhe më pas janë zgjeruar edhe te prodhues të tjerë francezë, si Lactalis dhe Vitagermine, duke kërcënuar humbje të kombinuara që tejkalojnë 1 miliard dollarë. Aksionet e Danone kanë humbur gati 13% të vlerës gjatë dy javëve të fundit. Autoritetet franceze po hetojnë nëse ekziston një lidhje mes vdekjes së dy foshnjave dhe produkteve të formulës që janë tërhequr nga tregu./ZËRI

