BELGJIKË-Disa dëshmitarë kanë dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Bruksel, e cila aktualisht po gjykon nëntë persona për vrasjen e Ardit Spahiut, kryer më 27 nëntor 2020 në Molenbeek. La libre raporton se nga dëshmitarët, partnerja aktuale e Franc Gergely-t, i njohur si Çopja, i dyshuari kryesor për vrasjen, mori fjalën nëpërmjet video-konferencës nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ajo e përshkroi atë si një burrë besnik, “kurrë agresiv”, i cili “kurrë nuk ngrinte zërin para askujt”. Ajo deklaroi se nuk ishte në dijeni për ndonjë aktivitet kriminal të të akuzuarit dhe shpalli pafajësinë e partnerit të saj.
Më herët një dëshmitar shqiptar në moshë rreth të tridhjetave, nga Elbasani në Shqipëri, qyteti prej nga ishte edhe viktima, deklaroi përmes video-konferencës se njihte dy familjet Alibej dhe Çopja, të cilat janë përfshirë në një luftë klanesh që të paktën nga dhjetori 2018. Kryetarja e gjykatës e pyeti dëshmitarin për një sherr, i datës 2017, që kishte shpërthyer në një lokal në Elbasan dhe në të ishte përfshirë Franc Gergely.
Dëshmitari e përshkroi si një “mosmarrëveshje të vogël” dhe një “sherr të thjeshtë mes meshkujsh” që kishte degraduar. Kryetarja e gjykatës kujtoi se sherri ishte raportuar në mediat shqiptare dhe se ishin përdorur armë zjarri. Dëshmitari më pas pranoi përdorimin e armëve të zjarrit. Ai gjithashtu deklaroi se një pjesë e dëshmisë, e dhënë të hënën nga një anëtar i familjes Alibej, ishte gënjeshtër.
Ardit (Arjan) Spahiu, i cili u ekzekutua në Bruksel, ishte kunati i Erion Alibejt. Spahiu, 38 vjeç, kishte precedentë penalë dhe vrasja e tij u lidh me zinxhirin e krimeve në Elbasan ku përfshihej Alibej. Spahiu konsiderohej si financier i grupit, ndërsa ishte duke gërmuar për llogari të Erjon Alibej mbi autorët e masakrës në Bradashesh ku u ekzekutua Endrit Alibej dhe dy persona të tjerë në dhjetor të 2018-ës.
Më herët gjatë mëngjesit, një ekspert ADN-je foli para gjykatës, duke specifikuar se asnjë ADN tjetër, përveç asaj të Ardit Spahiut dhe të burrit që po drejtonte makinën në të cilën ai ndodhej pak para vrasjes së tij, nuk ishte gjetur në vendin e krimit.
Spahiu u qëllua me armë zjarri në një atentat më 27 nëntor 2020, ndërsa ndodhej si pasagjer në një automjet. Ai arriti të largohej fillimisht, por u ndoq në këmbë nga dy persona të maskuar, të cilët e ekzekutuan. Hetimi për vrasjen e Spahiut mori hov pas dekriptimit të platformës SKY ECC. Në fund u identifikuan nëntë të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, figurë kyçe e klanit Çopja. Sipas policisë federale, ai dhe vëllezërit e tij vepronin nga Dubai dhe merreshin me trafik kokaine mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.
Pas vjedhjes së 49 kilogramëve kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër, dhuna mes dy grupeve kriminale u përshkallëzua. Dosja është e mbushur me vrasje me pagesë të kryera nga të dyja palët. Vrasja e Ardit Spahiut, i cili në vitin 2019 u arratis në Belgjikë nga frika për jetën e tij, konsiderohet si një vazhdim i konfliktit mes këtyre dy klaneve./ZËRI


