TIRANË- Muçi Shaljani, i cili mbeti i plagosur mesditën e djeshme në atentatin që ndodhi pranë rrethrrotullimit të Aeroportit të Rinasit, ka marrë 10 plumba. Burime nga spitali i Traumës bëjnë me dije se Shaljani është në intubim, ndërsa 2 prej plumbave e kanë prekur në kokë dhe 8 të tjerë në trup.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Shaljani është bërë pjesë e AMP-së gjatë muajit shtator, kur ky institucion drejtohej nga Artjol Saliasi pas shkarkimit të Florjan Sulejmanit. Drejtori i ri i kësaj strukture, Eduart Merkaj, me marrjen e detyrës, kishte kërkuar rishikimin e një sërë kontratash që ishin nënshkruar me agjentët, përfshirë dhe Shaljanin, i cili madje në një kohë të shkurtër ishte pajisur dhe me certifikatë sigurie. Dëshmia e tij do të ishte me vlerë të madhe për hetimin e ngjarjes, por aktualisht punonjësi i AMP ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës.
40-vjeçari rezulton gjithashtu që të jetë pronar i një hoteli në Tiranë, ndërkohë që nga verifikimet e para rezulton që të jetë pa precedentë të mëparshëm penal, por miqësia me një eksponent të njohur të botës së krimit, si Gilmando Dani, duket se i ka kushtuar shumë. /ZËRI