Aktualitet

Plagosën me thikë në qafë dhe kraharor Bledar Skënderajn, arrestohen dy persona në Vlorë (Emrat)

Plagosja në Vlorë, pranga autorit dhe një personi të përfshirë në sherr

E.K
Plagosën me thikë në qafë dhe kraharor Bledar
Foto ilustruese

VLORË- Policia e Vlorës ka arrestuar 2 persona në lidhje me një ngjarje të ndodhur dy ditë më parë ku mbeti i plagosur 30 vjeçari Bledar Skënderaj.

Pas një pune hetimore është bërë i mundur arrestimi i autorit Endri Latifaj, 32 vjeç dhe personit tjetër të përfshirë në këtë ngjarje Andreino Lena.

Ngjarja e rëndë u regjistruar 2 ditë më parë në lagjen “24 maji”, ku disa persona u përfshinë në një sherr pas një konflikti për motive të dobëta, ku u përdorën dhe armët e ftohta.

I plagosuri Bledar Skënderaj ka marrë plagë në pjesën e kraharorit dhe të qafës dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Endri Latifaj u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu, pa leje, si dhe një mjet prerës (thikë), i dyshuar si i përdorur në këtë ngjarje.

Ndërsa në automjetin e shtetasit Andreino Lena me të cilin ky i fundit ka transportuar shtetasin Bledar Skënderaj drejt spitalit, u gjet dhe u sekuestrua një thikë.

NJOFTIMI I POLICISË

Plagosi me thikë një 30-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga autori.

Në pranga edhe një shtetas tjetër i përfshirë në konflikt, gjatë kontrollit të të cilit u sekuestrua një mjet prerës thikë.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 10.11.2025, në lagjen “24 Maji”, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe të personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

Si rezultat, falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

E. L., 32 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

A. L., 23 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzim i krimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se më herët, këta dy shtetas kishin pasur një konflikt për motive të dobëta, të cilin nuk e kishin kallëzuar. Për shkak të përshkallëzimit të tij, mbrëmjen e datës 10.11.2025, shtetasi E. L. është konfliktuar fizikisht dhe me mjete prerëse me shtetasit A. L. dhe B. S., gjatë të cilit ka goditur me thikë, në pjesën e kraharorit dhe të qafës, shtetasin B. S., 30 vjeç. Ky shtetas ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë ushtruan kontrolle në banesat e dy shtetasve të arrestuar.

Në banesën e shtetasit E. L. u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu, pa leje, si dhe një mjet prerës (thikë), i dyshuar si i përdorur në këtë ngjarje.

Ndërsa në automjetin e shtetasit A. L., me të cilin ky i fundit ka transportuar shtetasin B. S, drejt spitalit, u gjet dhe u sekuestrua një thikë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB