Aktualitet

I vrarë me çdo kusht! Çfarë dihet deri tani nga atentati ndaj Gilmando Danit, miku i tij punonjës i AMP në gjendje kritike

Rreth 100 plumba u derdhën në drejtim të mjetit ku udhëtonte Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, të sapokthyer nga Spanja. Kamerat e sigurisë fiksuan lëvizjet e autorëve, që e deshën të vdekur me çdo kusht e çmim

E.K
I vrarë me çdo kusht! Çfarë dihet deri tani nga atentati
gilmando dani dhe muci shaljani

TIRANË- Një ditë pas atentatit të ndodhur mesditën e djeshme në rrethrrotullimin e Aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani alias Sheqeri, hetimet flasin për një atentat të mirëorganizuar dhe vrasës profesionistë që janë përdorur në ngjarje. Dani, një personazh i njohur i botës së krimit, dhe i etiketuar si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, u lirua vetëm një vit më parë nga qelia, ku vuajti një dënim me 12 vite burg për gjobëvënie dhe armëmbajtje pa leje në kuadër të grupit kriminal. Lirimi i tij u bë me kusht, pasi kishte kryer shumicën e dënimit, e megjithatë mbyllja e hesapeve me drejtësinë, nuk bëri që ai të mbyllte llogaritë e hapura me grupet e tjera kriminale, që e pritën mesditën e djeshme në Rinas, dhe e qëlluan pa mëshirë, me kushtin e vetëm për ta vrarë me çdo kusht.

Udhëtimi nga Barcelona në Rinas

Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, punonjës i Agjensisë së Mbikqyrjes Policore, kishin udhëtuar së bashku në datën 7 Nëntor drejt Barcelonës, ku kishin qëndruar për katër ditë, për t’u kthyer mesditën e djeshme, ku autorët i prisnin menjëherë sapo kanë marrë makinën në parkimin e Aeroportit. Dani dhe Shaljani kanë njohje miqësore të hershme mes tyre, ndërsa mbetet mister sesi ky i fundit është bërë pjesë e strukturave të AMP në muajin Shtator të këtij viti, dhe a i ka kaluar të gjitha kriteret e rekrutimit.

Rekrutimi i Shaljanit në radhët e AMP

Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Shaljani është bërë pjesë e AMP-së gjatë muajit shtator, kur ky institucion drejtohej nga Artjol Saliasi pas shkarkimit të Florjan Sulejmanit. Drejtori i ri i kësaj strukture, Eduart Merkaj, me marrjen e detyrës, kishte kërkuar rishikimin e një sërë kontratash që ishin nënshkruar me agjentët, përfshirë dhe Shaljanin. Dëshmia e tij do të ishte me vlerë të madhe për hetimin e ngjarjes, por aktualisht punonjësi i AMP ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës, ndërsa dy prej plumbave e kanë prekur në kokë. 40-vjeçari rezulton gjithashtu që të jetë pronar i një hoteli në Tiranë, ndërkohë që nga verifikimet e para rezulton që të jetë pa precedentë të mëparshëm penal.

Autorët ishin të maskuar, zbritën nga makina për ta çuar detyrën deri në fund

Autorët e atentatit ndaj Gilmando Danit dyshohet se kanë qenë vrasës me pagesë. Ata lëviznin me një makinë Toyota me targa greke, e cila dyshohet se ka qenë e vjedhur, dhe kanë qarkulluar për disa minuta në afërsi të aeroportit, në pritje të objektivave të tyre, të cilëve iu ishte shtyrë me disa minuta fluturimi.

Referuar pamjeve filmike, Toyota ka qenë e ndezur me bllokazh pranë rrethrrotullimit, të Rinasit, dhe në momentin që Benz ku udhëtonte viktima dhe i plagosuri iu ka kaluar pranë ata kanë nisur breshërinë e të shtënave. Për pasojë mjeti ka humbur kontrollin, ndërsa dy prej vrasësve kanë dalë nga makina dhe e kanë qëlluar viktimën nga një distancë e afërt. Në një moment njërit prej vrasësve i është bllokuar arma, dhe ka marrë kallashin e një prej personave të tjerë të përfshirë në vrasje.

Mbi Benzin ku udhëtonte Dani janë derdhur rreth 100 plumba, ndërkohë edhe pse një nga zonat më të frekuentuara dhe lëvizjen më të lartë të qytetarëve, në momentin e krimit në vendin e ngjarjes nuk ndodhej asnjë patrullë policie, çka iu mundësoi autorëve që të largoheshin të pashqetësuar, dhe të digjnin mjetin në fshatin Halilaj të Fushë Krujës.

Kush i informoi autorët? 

Policia ka dyshime se vrasësit të jenë ndihmuar nga një informator brenda aeroportit të Rinasit, për vrasjen e Danit, ndërsa ky i fundit pak çaste përpara ekzekutimit, është shfaqur me një kapele në ambientet e Aeroportit, ndoshta për të mos rënë në sy. Miku i tij nga ana tjetër është shfaqur i pashqetësuar. Ndryshe nga raportimet paraprake për një shkëmbim zjarri mes autorëve dhe viktimës, në fakt në makinën ku udhëtonte Dani dhe Shaljani nuk janë gjetur armë.

Ky është një nga atentatet më të rënda të ndodhura muajt e fundit në vendin tonë, duke vënë në rrezik dhe sigurinë kombëtare. Fatmirësisht nga breshëria e plumbave u dëmtuan vetëm xhamat e disa bizneseve në zonën e Aeroportit, dhe nuk pati dëme në jetë të pafajshme njerëzore. Pavarësisht grupit të posaçëm hetimor, të dhënat që çojnë te autorët apo porositësit e atentatit janë të pakta, edhe pse një pjesë e llogarive të mikut të Shullazit me grupet e tjera kriminale kanë qenë të njohura. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB