Aktualitet

34 vite nga nisja e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese, Papajorgji: Garantimi i të drejtave mbetet misioni ynë

Gjykata Kushtetuese, mirëpriti studentë nga universitete publike dhe private, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me funksionimin e Gjykatës dhe rolin e saj në sistemin e drejtësisë.

Redaksia Zëri
34 vite nga nisja e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese,
PAMJE NGA TAKIMI

TIRANË-34 vite pas nisjes së aktivitetit të saj, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë thotë se mbrojtja e të drejtave dhe garantimi i Kushtetutës mbeten në thelb të misionit të institucionit. Gjatë aktivitetit ‘Ditët e Hapura” të organizuar me këtë rast, Gjykata Kushtetuese, mirëpriti studentë nga universitete publike dhe private, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me funksionimin e Gjykatës dhe rolin e saj në sistemin e drejtësisë.

Të rinjtë patën mundësinë të zhvillonin një bashkëbisedim të hapur me gjyqtaret Sonila Bejtja dhe Marjana Semini, të cilat shpjeguan rolin thelbësor që ky institucion luan në mbrojtjen e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, si dhe iu përgjigjën interesit të tyre për çështje të ndryshme.

Në një mesazh të përcjellë me këtë rast, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji, thekson se përgjatë këtyre viteve, institucioni ka pasur në themel të punës së tij besimin te drejtësia dhe te respektimi i të drejtave të çdo individi.

“Për ne, në qendër të çdo vendimmarrjeje qëndron njeriu, liria dhe të drejtat e tij. Çdo vendim nuk është vetëm një përgjigje për një çështje konkrete, por edhe një mesazh për shoqërinë mbi drejtësinë dhe barazinë”, shprehet Papajorgji.

Poll

MOS HUMB