Aktualitet

41 kg kokainë në konteinerin me mish pule të 'diMAL' ende pa pronar, hetimi kalon në "duart" e SPAK

Ndërkohë që hetuesit po verifikojnë porosinë e produktit të mishit të pulës, dokumentacionin shoqërues, faturat dhe destinacionin e ngarkesës, me qëllim identifikimin e personave që kanë porositur dhe organizuar transportin e lëndës narkotike.

zh.ll
41 kg kokainë në konteinerin me mish pule të 'diMAL'
Mondi Goxha-droga e kapur ne portin e durresit

TIRANË- Rreth 41 kilogramë kokainë u gjetën dhe u sekuestruan më 14 shtator në Portin e Durrësit, të fshehura në konteinerin me mish pule të kompanisë 'AMG Food" (diMAL shpk) në pronësi të biznesmenit Mondi Goxha.

Pas sekuestrimit të sasisë së drogës, çështja ka kaluar nga Prokuroria e Durrësit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), e cila do të hetojë për të zbardhur origjinën e kokainës, personat e përfshirë dhe destinacionin e saj.

Deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezulton të ketë prova që lidhin kompaninë 'diMal' me sasinë e kokainës së sekuestruar. Ndërkohë që hetuesit po verifikojnë porosinë e produktit të mishit të pulës, dokumentacionin shoqërues, faturat dhe destinacionin e ngarkesës, me qëllim identifikimin e personave që kanë porositur dhe organizuar transportin e lëndës narkotike. Sekuestrimi e kësaj sasie u bë i mundur falë shkëmbimeve të informacioneve në kohë reale mes SPAK dhe hetuesve ndërkombëtar. Dyshimet e hetuesve janë se droga mund t’u përkasë grupeve kriminale shqiptare me bazë në Belgjikë, të cilat ishin goditur nga autoritetet pak ditë përpara sekuestrimit të kokainës në Portin e Durrësit.

Sa i përket kësaj piste, disa ditë më parë, autoritetet greke e lidhën direkt me grupin e Gerd Gjinararit, i njohur si “Gjenerali”, i arrestuar në qershor të këtij viti në Belgjikë. 

Emri i tij doli në skenë teksa autoritetet belge goditën një grup shqiptar të trafikut të kokainës në Belgjikë. Sipas deklaratës së zëdhënësit të Prokurorisë së Antwerp-it, Kristof Aerts, ngarkesa e sekuestruar në Shqipëri lidhet me hetimin ndaj grupit shqiptar të trafikut të kokainës në Antwerp.

Në njoftimin zyrtar, Policia njoftoi se lënda narkotike u gjet gjatë një kontrolli në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule. Ndërkohë që në kapakët e jashtëm të tij, u konstatuan 37 paketime të lëndës narkotike, të veshura me ngjyra të ndryshme.

Për këtë rast deri më tani nuk është raportuar për asnjë arrestim apo procedim penal, ndërsa rezulton se sasia e mishit të pulës nga Brazili, ishte porositur nga subjekti 'AMG Food' në pronësi të biznesmenit Mondi Goxha. 

'AMG Food' më 11 mars 2025 importoi nga Brazili gati 8 tonë mish pule të kontaminuar me salmonelë. Më pas do të ishte kompania 'dimal', ajo që do e shpërndante në treg. I kontaktuar nga ZËRI, asokohe pronari i kompanisë Mond Goxha, pranoi se malli me salmonelë ishte i porositur prej tij. Dy vëllezërit Arben Goxha dhe Mondi Goxha u akuzuan për veprën penale  “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme, për shëndetin ose jetën e njërzëve“ dhe u hetuan në gjendje të lirë.

Tashmë veç skandalit të mishit, konteinerët e kompanisë së Goxhës mbanin edhe drogë, ndërsa hetimi do të zbulojë nëse ka apo jo përfshirje në trafik të lëndëve narkotike. Nga ana tjetër mishi nga Brazili është ndaluar të importohet në Shqipëri si dhe në vendet e BE-së, prej 3 shtatorit. Pronarët vëllezërit Goxha nuk janë marrë ende ne pyetje në lidhje me rastin./ZËRI

Poll

MOS HUMB