
ELBASAN- Inspektorati i Punës ka vendosur pezullimin e pjesshëm të aktivitetit të Albchrome për sigurinë dhe shëndetin në punë, pas plagosjes gjatë punës së Rudin Meçjas në repartin e copëtimit të ferrokromit. Aktiviteti i repartit ku ndodhi aksidenti do të pezullohet deri në marrjen e masave për sigurinë e punëtorëve.
“Në fshatin Bradashesh, dyshohet se gjatë punës në uzinën e ferrokromit, është dëmtuar shtetasi R. M., 51 vjeç, i cili është dërguar për mjekim në spital dhe është në kujdesin e mjekëve”, informoi sot Policia.
Një pllakë qindra kg i ra mbi trup mekanikut, Rudin Meçja rreth orës 12:15 në repartin e copëtimit të ferrokromit. Mekaniku mësohet se po punonte së bashku me një grup kolegësh për ndërrimin e pllakave të copëtimit të ferrokromit. 51-vjeçari është goditur në shpatull dhe shtyllën kurrizore dhe aktualisht ndodhet tek Spitali i Traumës në Tiranë./ZËRI