
TIRANË-Apeli i GJKKO ka prishur vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e Erjon Kasmit me 11 vite burg në aplikim të gjykimit të shkurtuar në 7.4 vite si dhe të Xhuljan Xhafës për dënimin e tij me 10 vite, 6.8 me gjykim të shkurtuar. Kasmi dhe Xhafa akuzohen se kanë mashtruar me call centerat, duke i shkaktuar shtetasve gjermanë një dëm prej 7 milionë eurosh. Çështja do rigjykohet nga fillimi me trupë tjetër në GJKKO.
Vendimi i dhënë në 8 korrik 2024
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO dënoi me 11 vite burg Erjon Kasmit, i cili është organizatori i skemës mashtruese të call center. Por ky i fundit do të vuajë në qeli vetëm 7 vjet e 4 muaj burg. Ndërkohë u shpallën të pafajshëm operatorët që punonin në këtë skemë mashtrimi. Me 10 vite burg u dënua Xhulian Xhafa për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Xhafa do të vuajë 6 vjet e 8 muaj burg.
Në qershor të vitit të kaluar, SPAK mbylli hetimit duke marrë të pandehur 13 shtetas shqiptarë me akuza për mashtrim kompjuterik dhe grup i strukturuar kriminal. Sipas SPAK ka rezultuar se shtetasit gjermanë dhe shtetas të tjerë të vendeve Europiane si Franca, Italia, Spanja, Greqia etj., ftoheshin nga agjentët e subjektit “Bluenergycall sh.p.k”, të investonin në bursa ndërkombëtare, duke bërë depozitimin e parave sipas udhëzimeve të agjentëve, në platformat mashtruese.
Këto depozita nga viktimat bëheshin në llogari të cilat kanë rezultuar se gjenden në banka të vendeve të ndryshme si Bullgari, Lituani, Poloni, Qipro etj., të Europës dhe më gjerë, ku më pas zhdukeshin nëpërmjet transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë. Gjatë përllogaritjes së kryer dyshohet se vlera e arritur nga mashtrimi kalon shumë mbi 3 mln euro. Gjatë hetimit janë evidentuar dhe pasuri të pajustifikuara nga të ardhurat e të Eron Kasmi dhe Xhuljan Xhafa si të punësuar.
Konkretisht Erjon Kasmit i janë sekuestruar llogaritë në shumën totale 588.233 euro dhe 19.786.762lekë. Po ashtu, këtij grupi i janë sekuestruar 19 pasuri të paluajtshme prej të cilave 9 apartamente, 3 garazhe, 1 ndërtesë, 4 pasuri pemëtore me sipërfaqe totale 3100 m2, si dhe 1 Truall me sipërfaqe 2750 m2 me një ndërtesë 750 m2./ZËRI