Politikë

8 ditë na ndajnë nga zgjedhjet, PS dhe PD përveshin mëngët

Dy partitë kryesore, ajo Socialiste dhe Demokratike kanë përveshur mëngët dhe po organizojnë takime elektorale në çdo qytet të vendit.

I.F
8 ditë na ndajnë nga zgjedhjet, PS dhe PD përveshin
Sali Berisha dhe Edi Rama

TIRANË- Na ndajnë vetëm 8 ditë nga zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj, ku do të zgjidhet kryeministri që do të qeverisë për 4 vitet e ardhshme. Dy partitë kryesore, ajo Socialiste dhe Demokratike kanë përveshur mëngët dhe po organizojnë takime elektorale në çdo qytet të vendit. Këtë mëngjes, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me qytetarët e Gjirokastrës, ku prezantoi planin e tij për 4 vitet e ardhshme.

Po ashtu, Rama nga Gjirokastra informoi se aeroporti i qytetit që deri më tani është përdorur për aktivitet sportive, në vitin 2030 do të kthehet në sezonal, ku do të mirëpresë turistët. Nga ana tjetër, nuk munguan as akuzat ndaj opozitës. Nga Gjirokastra, Rama ironizoi kryedemokratin Sali Berisha për kontratën e lobingut me kompaninë amerikane “Continental” se nëse u habit me Lulzim Bashën kur tha 7x7= 42, për Berishën bëjnë 7x7= 6 milionë dollarë.

Ndërsa, nga ana tjetër kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi takimin e radhës në Peqin dhe në Gramsh. Gjatë takimit, nuk munguan as akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, ku Berisha i bëri edhe thirrje të përballen së bashku në një debat poliitk. Teksa prezantoi programin e PD-së, Berisha u shpreh se pensionet dhe rrogat do të rritën.

Ndërsa, nuk mungoi as ironia ndaj takimeve elektorale të organizuara nga Rama. Kryedemokrati kritikoi edhe prezencën e Noizyt në takim duke u shprehur se makina e tij “Lamborghini”, nuk paguan pensionet apo pagat. Më tej, ai shtoi se Rama po ndjek të njëjtën fushatë si kandidatja amerikane demokrate për presidente Kamala Harris, por që në fund humbi./ZËRI

Poll

MOS HUMB