KORÇË-Prokuroria e Korçës ka nizur zyrtarisht një hetim lidhur me skandalin e menaxhimit dhe shërbimit të ushqimit për pacientët në Spitalin Rajonal, për ‘Shpërdorim detyre’. Raportohet se procedimi penal u regjistrua pas publikimit të raportit të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku u evidentuan kushte të rënda higjienosanitare në kuzhinën dhe ambientet ku përgatitet ushqimi.
Sa i përket gjetjeve të tjera në raport nënvizohej se frigoriferët nuk kanë matës temperature, ndërsa fëmijët, nga 1 muaj deri në 3-vjeç, të cilët nuk marrin një menu pediatrike dhe ushqehen si të rriturit. Nga ana tjetër qumështi, perimet dhe mishi, të cilat janë të paguara nga shteti, shpesh nuk u serviren pacientëve. Në listën e gjetjeve të Spitalit, gjithashtu raportohet se për rreth 8 muaj darka për pacientët ishte vetëm “kos”.
NJOFTIMI:
Problematika në menaxhimin e shërbimit të ushqimit për pacientët në Spitalin Rajonal, Prokuroria Korçë nis hetimet për ‘Shpërdorim detyre’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka regjistruar kryesisht procedim penal për veprën penale ‘Shpërdorim i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal mbi bazën e informacioneve të publikuara në median online dhe në emisionin investigativ “Piranjat”, në lidhje me problematika në menaxhimin dhe organizimin e shërbimit të ushqimit për pacientët në Spitalin Rajonal Korçë.
Procedimi penal u regjistrua pas publikimit të materialit investigativ më datë 11.03.2026, ku referohen gjetje të raportit të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit u evidentuan problematika në menaxhimin dhe organizimin e shërbimit të ushqimit për pacientët.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, urdhëroi kryerjen e një sërë veprimesh hetimore nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore, me qëllim verifikimin e plotë të rrethanave të paraqitura në materialin e publikuar, administrimin e dokumentacionit përkatës dhe identifikimin e çdo personi që mund të ketë përgjegjësi ligjore në lidhje me këtë çështje.
Hetimet do të kryhen në kuadër të rolit që ka çdo institucion publik lidhur me detyrimet ligjore për garantimin e shëndetit të pacientëve dhe të çdo qytetari të Qarkut Korçë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë mbetet e angazhuar për të garantuar një hetim të plotë, të paanshëm dhe në përputhje me ligjin.
