Aktualitet

A do të shqyrtohet ankimi i Ramës për pezullimin e posteve të Ballukut? Gjyqtarët mblidhen në 4 dhjetor

Nëse nuk kapet shumica prej 5 votash në favor të mosshqyrtimit, çështja i kalon automatikisht  seancës plenare.

F.I
A do të shqyrtohet ankimi i Ramës për pezullimin e posteve
Belinda Balluku

TIRANË-Belinda Balluku mbetet ende pa poste! Tre gjyqtarët që përbënin kolegjin Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja nuk arritën dot unanimitet për të vendosur nëse ankimi i kryeministrit Edi Rama për vendimin e GJKKO, e cila pezulloi nga detyrat Ballukun, do të kalojë për shqyrtim. Çështja i kalon Mbledhjes së Gjyqtarëve. 

Mbledhja e Gjyqtarëve do të zhvillohet më 4 dhjetor, ku janë tetë gjyqtarë të cilët do të marrin një vendimmarrje për kërkesën paraprake të qeverisë, për pezullimin e vendimit të GJKKO-së për Ballukun, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Kushtetuesja. Nëse ata vendosin pro kërkesës për heqjen e përkohëshme të masës zv/kryeministrja do te rikthehet ne post deri në përfundim të gjykimit.

Konkretisht për moskalimin e ankimimit për shqyrtim duhet “shumicë votash”. Nëse nuk kapet shumica prej 5 votash në favor të mosshqyrtimit, çështja i kalon automatikisht seancës plenare.

Sa i përket ankimimit të qeverisë në Kushtetuese, kryeministri Edi Rama kërkon shfuqizimin e vendimit. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, teksa argumenton se ky vendim sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror.

Rama komentoi sërish sot vendimin, ku u shpreh se ky është një rast unikal në botë dhe në asnjë vend nuk është parë që një prokuror dhe një gjykatës të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie. Kreu i qeverisë theksoi se ai do të vazhdojë të jetë mbështetësi më i madh i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, ndërsa vendimin e GJKKO-së e krahasoi si një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo kanë mësuar të ecin.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH.

Kushtetuesja është ajo që do të vendosë për 'fatin' e Ballukut, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zëvendësimi i Ballukut në qeveri nuk do të ndodhë./ZËRI

Poll

MOS HUMB