Aktualitet

Adriatik Llalla heq dorë nga rekursi për pafajësinë

Në muajin nëntor, Llalla është tërhequr nga rekursi që kishte depozituar në Gjykatën e Lartë.

k.m.
Adriatik Llalla heq dorë nga rekursi për pafajësinë
Adriatik Llalla

TIRANË- Nga arratia, ish-kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka hequr dorë nga rekursi për pafajësi në Gjykatën e Lartë. Në muajin nëntor, Llalla është tërhequr nga rekursi që kishte depozituar në Gjykatën e Lartë. Por pavarësisht tërheqjes, në datën 25 mars, kolegji penal do shqyrtojë fillimisht kërkesën e Llallës për heqjen dorë nga rekursi.

Në rast se Gjykata nuk do ta pranojë tërheqjen, do të shqyrtojë kërkesën e ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm për pafajësi.

Por edhe pse në arrati, Llalla nuk është zhdukur nga "vëmendja" e publikut. Në shkurt, thuajse një muaj më parë, ai u shfaq në takimin që kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi me emigrantët shqiptarë në Romë. Ndërsa më herët, pozoi duke bërë simbolin e shqiponjës me duar, pranë ish-deputetit Adriatik Alimadhi.

Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla u dënua me dy vjet burg dhe 5 vite përjashtim nga shërbimet publike, për fshehjen e pasurisë në tre episode, në shtator të vitit 2021, por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë pasi ai u largua nga vendi dhe zgjodhi të mos përballej me drejtësinë. Ai ndodhet në shtetin italian, ku është raportuar dhe se ka marrë azil./ZËRI

Poll

MOS HUMB