
PEQIN- Një aksident i rëndë është regjistruar këtë mëngjes në aksin Elbasan-Peqin. Një furgon është përplasur me një makinë tip “Benz”, ku si pasojë kanë humbur jetën 2 persona dhe janë plagosur 5 të tjerë. Nga përplasja ka humbur jetën drejtuesi i “Benzit”, Klodian Shahini 33 vjeç dhe nëna e tij Fatbardha Shanini, 55 vjeçe, e cila ishte pasagjere.
Mësohet se është plagosur drejtuesi i furgonit dhe 4 pasagjerë. Ata janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore, fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
“Mëngjesin e sotëm, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, në fshatin Paulesh, furgoni që drejtohej nga shtetasi A. B., 44 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin K. Sh.
Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën drejtuesi i automjetit tip “Benz” shtetasi K. Sh., dhe shtetasja F. Sh., 55 vjeçe, pasagjere në këtë automjet.
Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i furgonit, shtetasi A. B., dhe 4 pasagjerë që udhëtonin me furgon, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, njofton Policia./ZËRI