TIRANË- Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në afërsi të QTU-së në Tiranë, ku janë përfshirë dy automjete. Sipas informacioneve paraprake, njëra nga makinat është goditur nga pas nga një mjet tjetër. Përplasja e fortë ka shkaktuar që automjeti që dyshohet se e shkaktoi aksidentin të përfshihet nga flakët, duke u djegur plotësisht.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dy autoambulanca dhe një mjet zjarrfikës, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit dhe dhënien e ndihmës së parë. Ende nuk dihet numri i personave të përfshirë në aksident, si dhe gjendja e tyre shëndetësore.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Si pasojë e ngjarjes, është krijuar një trafik i rënduar, me radhë automjetesh që raportohen se arrijnë deri në 4 kilometra./ZËRI