KORÇË- Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin Korçë–Maliq, në afërsi të fshatit Lumalas, ku ka humbur jetën një 45-vjeçar. Viktima është identifikuar si Krenar Çekiçi, punonjës i policisë së burgjeve pranë IEVP Drenovë.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete që janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë 45-vjeçari, drejtues i njërit prej mjeteve.
Nga të dhënat paraprake në vendngjarje, bëhet e ditur se një automjet që lëvizte nga Korça në drejtim të Maliqit ishte ndaluar në krahun e djathtë të rrugës për të kaluar në anën tjetër, me sinjalin e hapur. Në ato momente, një mjet tjetër që vinte në të njëjtin drejtim ka goditur fillimisht automjetin përpara tij dhe më pas edhe një mjet tip “Benz”, ku ndodhej 45-vjeçari.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit./ZËRI