Aktualitet

Tensione gjatë dëgjesës publike në Bulqizë, banorët e Gjoricës përplasen me bashkinë: Mos na merrni kullotat!

Dëgjesa publike e zhvilluar nga Këshilli Bashkiak në Gjoricë të Poshtme është shoqëruar me debate të forta mes banorëve dhe përfaqësuesve të bashkisë, për shkak të planit për dhënien me ankand të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore.

zh.ll
Tensione gjatë dëgjesës publike në Bulqizë,
bulqize

BULQIZË- Tensione të forta janë regjistruar sot në Gjoricë të Poshtme në Bulqizë. Dëgjesa publike e zhvilluar nga Këshilli Bashkiak në Gjoricë të Poshtme është shoqëruar me debate të forta mes banorëve dhe përfaqësuesve të bashkisë, për shkak të planit për dhënien me ankand të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore.

Siç raporton Bulqizaime.al, takimi, që ishte thirrur për të informuar komunitetin mbi përdorimin ekonomik të disa parcelave, u kthye në një përplasje të hapur, teksa anorët kundërshtuan këtë nismë. Sipas tyre, tokat në fjalë janë përdorur prej vitesh si kullota dhe janë thelbësore për mbajtjen e bagëtive dhe jetesën e familjeve.

Ta pranishëm në këtë takim ishin sekretari i Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues të Drejtorisë së Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave, ndërsa nga anëtarët e këshillit ishte i pranishëm vetëm një përfaqësues edhe ai nga radhët e opozitës. Gjatë prezantimit, përfaqësuesi i Drejtorisë së Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave bëri me dije numrin e parcelave që parashikohen për ankand, por pa specifikuar qartë zonat konkrete, çka shkaktoi reagime të menjëhershme nga të pranishmit.

Dëgjesa nuk zgjati më shumë se 40 minuta, e shoqëruar nga tone të forta e të ashpra, si pasojë e kundërshtimit të projektit nga ana e banorëve.

Banorët kundështojnë dhënien e sipërfaqeve, teksa theksojnë se kjo është një ndërhyje e ngjashme edhe më parë. Sipas tyre, ka pasur edhe situata të tjera të përsëritura, ku fillimisht investitorët ishin prezantuar si të zonës, por më pas pronësia kishte ndryshuar.

Ndër të tjera, banorët ngrejnë shqetësimin se zona rrezikon të boshatiset nga aktiviteti tradicional dhe të humbasë funksionin ekonomik rural. Të tjerë kundështojnë mënyrën se si po veprohet, pasi sipas tyre, dëgjesat janë thjesht formale me pretendimin se ka ndikim në vendimarrje. Disa banorë pretendojnë madje, se ndaj tyre po ushtrohet presion për të dhënë dakordësi, ndërkohë që ata shprehen se nuk janë kundër investimeve, por kërkojnë që ato të jenë të balancuara dhe të mos dëmtojnë tokat e përbashkëta të komunitetit.

Por, nga ana tjetër, mësohet se ka pasur edhe nga ata banorët që kanë dalë pro projektit. Një grup banorësh u shprehën në mbështetje të dhënies së tokave përmes ankandit, duke argumentuar se investimet sjellin zhvillim ekonomik për zonën. 

Brenda pak javësh Bashkia Bulqizë ka dhënë me ankand mbi 100 hektarë tokë për projekte energjetike. Ndërsa në vijim pritet të rritet edhe më tej pasi janë planifikuar edhe një sërë tokash të tjera për tu dhënë me këtë qëllim.

Poll

MOS HUMB