
VLORË- Endrit Sadedini është vendosur në pranga gjatë një aksioni të Policisë së Vlorës. 38-vjeçari ishte zbuluar se qarkullonte me armë zjarri. Duke u bazuar në informacionet që blutë e Vlorës kishin marrë nga rrugë operative; në bashkëpunim me forcat "Operacionale" u futën në vendin ku fshihej për t'i vendosur prangat. Në momentin e ndërhyrjes, Sadedini tentoi që të largohej, madje u drejtoi edhe armën punonjësve të Policisë së Shtetit, por fatmirësisht u neutralizua në kohë, pa iu dhënë mundësia që të qëllonte.
Atij i është gjetur edhe sekuestruar një armë zjarri dhe një makinë e blinduar. Në gjendje të lirë është proceduar M. Sh., 33 vjeç, pasi akuzohet për "moskallëzim krimi".
PAMJET E KAPJES:
"Si rezultat i angazhimit maksimal të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bashkëpunimit shumë të mirë me agjencitë ligjzbatuese, si dhe koordinimit e mbështetjes nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sot në Vlorë u finalizuan dy operacione policore: së pari, për kapjen e personave me rrezikshmëri të theksuar shoqërore që qarkullojnë me armë zjarri dhe së dyti, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, në kushte laboratorike me anë të llambave. Në këtë kuadër, mesditën e sotme, falë bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve dhe shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger”, u bë e mundur që në lagjen “Pavarsia”, pranë Lungomares, të kapej një person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, i cili lëvizte i armatosur. Bazuar në informacionet e inteligjencës policore dhe pas një operacioni të mirëkoordinuar, shërbimet operacionale bënë të mundur lokalizimin, neutralizimin dhe kapjen e shtetasit E. S., 38 vjeç, person me precedentë penalë të theksuar, i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me një karikator me municion luftarak. Shtetasi E. S., në momentin që pa shërbimet e Policisë, tentoi të largohej dhe iu ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë, por s’ka mundur të qëllojë apo të largohet, pasi, falë profesionalizmit të forcave të Policisë, është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij. Arma e zjarrit do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme. Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi shtetasi M. Sh., 33 vjeç, i cili lëvizte bashkë me 38-vjeçarin, tashmë të arrestuar."
Emri i 38-vjeçarit nuk është i panjohur për Policinë dhe as për mediat, kjo pasi më 19 Dhjetor 2021, atij iu bë atentat me tritol. Një kallëp lëndë plasëse i ishte vendosur në afërsi të garazhit ku kishte parkuar makinën, shpërthim që e la të plagosur të riun. Në atë moment, Endrit Sadedinaj, nuk rezultonte me precedent të mëparshëm penal. Ai njihej vetëm si pronari i një lokali në Vlorë ku në Prill të 2017 u vra një person dhe u plagosën tre të tjerë. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Ergys Gjioveshi. Për ngjarjen u vunë në pranga Gani Tozaj, ndërsa Arianit Kondaj u shpall në kërkim. Ndërsa vetë Sadedini u ndoq penalisht për moskallëzim krimi.
Po ashtu, 8 vite më parë, të riut nga Vlora i kishin vendosur edhe njëherë eksploziv në makinë, por atë herë lëndën plasëse e kishte pikasur në kohë. Ngjarja bëri bujë por nuk u zbardh kurrë se kush ishte porositësi i vënies së tritolit në makinën e tij, por vetëm sa u bë me dije nga burime jozyrtare se ngjarja kishte ndodhur për prishje të pazareve të drogës.
Pas atentatit që u tentua herën e parë, për herë të dytë Sadedini qarkullonte me një mjet të blinduar që ia kishte marrë Roland Shytit, personazhi i dosjes “Hakmarrja për Drejtësi”, njihet edhe me nofkën “Mustaqekuqi”. Shyti, në vitin 2008, pas 12 vitesh hetime, u dënua me 25 vite burg pasi u shpall i fajshëm për 17 akuza që nga organizatë terroriste, vrasje, grabitje, rrëmbim. Mesa duket që asokohe deri sot, vazhdonte dhe qëndronte gjithnjë në alert ndaj kundërshtarëve që kërkonin eliminimin e tij./ZËRI