TIRANË-Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar prani të aflatoksinës B1 në dy ngarkesa misri, me një sasi totale prej 51 tonësh, të importuara nga Serbia dhe të destinuara për ushqim kafshësh. Analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e Aflatoksinës B1, një mykotoksinë e dëmshme për shëndetin.
Nga totali prej 51 tonësh, njëra ngarkesë është kthyer në Serbi, ndërsa tjetra është bllokuar dhe do të asgjësohet sipas protokolleve të sigurisë ushqimore. Sasia prej 51 tonësh është pjesë e 15 kamionëve me misër të bllokuar në Han të Hotit, që në total po analizohen mbi 500 ton.
Njoftimi i AKU: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në vijim të transparencës dhe informimit të publikut dhe në zbatim të legjilacionit në fuqi bën me dije se bazuar Planit Vjetor të Kontrolleve Zyrtare, në Pikën Inspektimit Kufitar Hani Hotit ka kryer mostrimin në dy ngarkesa me misër, ushqim për kafshë, origjina Serbi, të cilat pas kryerjes së analizimit laboratorik, janë konfirmuar me prani të Aflatoksinës B1. Informojmë se njëra nga ngarkesat, është kthyer në vendin e origjinës, ndërsa ngarkesa tjetër është bllokuar në ambientet e subjektit me destinacion asgjësimin. AKU garanton opinionin publik se çdo produkt ushqimor i importuar, i nënshtrohet kontrolleve rigoroze për të garantuar produkte të sigurta ushqimore në mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve.
Kujtojmë se bllokim të ngarkesave me misër të ardhur nga Serbia janë bërë në Shkodër dhe Elbasan, me qëllim kryerjen e analizave laboratorike. Ndërkohë, autoritetet kanë bllokuar edhe një fermë në fshatin Trush, pasi nga sistemi i gjurmueshmërisë ka rezultuar se ajo furnizohej me misër blegtoral nga subjekti i ndaluar në doganë./ZËRI