Aktualitet

Amnistia penale në tryezë, pritet "OK" nga Kuvendi: Lirime dhe ulje dënimesh, ja kush përfiton (DOKUMENTI)

Projektligji, nga i cili pritet të përfitojnë 10 mijë persona, me 380 të burgosur që pritet të lirohen menjëherë dhe 980 të tjerë që përfitojnë ulje dënimi, u njoftua pak ditë më parë nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.

zh.ll
Amnistia penale në tryezë, pritet "OK" nga Kuvendi: Lirime
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Drafti i ligjit për amnistinë penale është bërë publik dhe pritet kalojë nga Këshilli i Ministrave në Kuvend. Projektligji, nga i cili pritet të përfitojnë 10 mijë persona, me 380 të burgosur që pritet të lirohen menjëherë dhe 980 të tjerë që përfitojnë ulje dënimi, u njoftua pak ditë më parë nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Projektligji, një nismë që synon të zbusë dënimet për një pjesë të të dënuarve dhe të lehtësojë integrimin e tyre në shoqëri, synon uljen e mbipopullimit në burgje dhe një qasje humanitare të drejtësisë. 

Kategoritë që përfitojnë amnistinë:

Ligji synon të përfshijë të gjithë personat që janë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për dënime deri në tre vjet burg për burrat dhe deri në katër vjet për gratë, përfshirë edhe ato forma alternative të dënimit si gjoba ose shërbimi në komunitet. 

Burra që deri më 31 dhjetor 2025 janë dënuar me vendim të formës së prerë apo u ka mbetur edhe 3 vite burg dhe vendimi ka marrë formë të prerë dhe gra që janë dënuar me 4 vite burg me vendim të formës së prerë.

Do të lirohen të gjitha gratë që në momentin kur hyn ligji në fuqi kanë mbushur 50-vjeç. Gjithshtu, edhe burrat duke nisur nga 60-vjeç, si dhe personat që ishin të mitur kur kryen veprën penale.

Për ata që nuk përfitojnë amnisti të plotë, drafti gjithashtu parashikon një lehtësim të dënimit:

(Të paktën 1000 persona do të përfitojnë ulje të dënimit).

Për burrat, dënimi mund të ulet me një vit

Për gratë dhe të miturit kjo ulje shkon deri në një vit e gjysmë dhe të miturit

Pushimi i ndjekjes penale:

Gati 9000 qytetarë të tjerë pritet të përfitojnë nga amnistia penale përmes shuarjes së hetimit apo gjykimit ndaj tyre, por gjithmonë duke respektuar kufizimet për krimet e rënda dhe shmangiet nga drejtësia.

Drafti parashikon përjashtimin nga ndjekja penale për të gjitha çështjet në hetim, çështjet e pashqyrtuara si dhe kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për krimet e bëra deri më 31 dhjetor 2025.

Kush përjashtohet nga aministia (kufizimet për përfituesit):

Nuk përfitojnë amnisti personat që i janë shmangur drejtësisë, si ata të arratisur ose të fshehur, dhe të dënuarit për krime të rënda, përfshirë krime kundër jetës dhe njerëzimit, krime seksuale, terrorizëm, vepra që cenojnë rendin kushtetues, autoritetin e shtetit, mjedisin, ekonominë dhe pasurinë, si dhe veprat penale që lidhen me zgjedhjet dhe demokracinë.

Amnistia nuk do të prekë personat me burgim të përjetshëm dhe ata të cilët gjykohen ose janë në hetim nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Drafti parashikon që ligji të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB