TIRANË-Apeli i Gjykatë së Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Florenc Çapjen. Ai u ekstradua pak kohë më parë nga Dubai, pasi dyshohet se është i përfshirë në dosjen “Plumbi i Artë”. Ndaj Çapjas është vendosur masa e sigurisë 'arrest me burg' për akuzën e "sigurimit të kushteve për vrasje" në dëm të Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini.
Ai përmes avokatit ka pretenduar se nuk ka përdorur Sky ECC dhe se akuza ndaj tij është ngritur vetëm nga një deklarim i Nuredin Dumanit e Henrik Hoxhajt. Florenc Çapja është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në Elbasan në vitin 2012.
Florenc Çapja u ekstradua më 2 maj nga Dubai drejt Tiranës për llogari të autoriteteve shqiptare. Në dëshminë e tij, Çapja është shprehur se nuk ka qenë asnjëherë përdorues i platformës së enkriptuar të komunikimit SKY ECC. Më tej ai ka pretenduar se nuk është ekstraduar, por ka qenë vullneti i tij për të ardhur pasi ka qenë më herët në Stamboll dhe ka pasur mundësi të largohej. Çapja është shprehur gjithashtu se nuk e njeh të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin dhe nuk i ka kërkuar asgjë atij në lidhje me Sokol Sanxhaktarin./ZËRI