Aktualitet

Droga në Fushë-Krujë "çoi" në pranga Ariel Rrajën! I ati kundërshtoi Policinë: Mos ndërhyni në zonën tonë

Nipi i Rrahman Rrajës është vënë në pranga gjatë operacionit antidrogë që Policia e Tiranës ka zhvilluar në fshatin Luz të Fushë Krujës

F.I
Droga në Fushë-Krujë "çoi" në pranga Ariel
Flamur dhe Ariel Rraja

TIRANË-Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe djali i Flamur Rrajës është arrestuar. Mësohet se 24-vjeçari Ariel Rraja, nipi i Rrahman Rrajës është vënë në pranga gjatë operacionit antidrogë që Policia e Tiranës ka zhvilluar në fshatin Luz të Fushë Krujës, mbrëmjen e së mërkurës. I riu kishte thyer masën e “arrestit në shtëpi” për 20 gram kokainë dhe shuma parash që iu gjetën në makinë në tetor të vitit 2023.

Efektivët kanë shkuar të ekzekutojnë masën në afërsi të një karburanti në Fushë-krujë, por u përballën me babanë e 24-vjeçarit, Flamur Rrajën bashkë me një 26-vjeçar, Ermal Tufën, të cilët kundërshtuan punonjësit duke i penguar të shoqërojnë në komisariat djalin. Ata kanë pretenduar që policia të mos ndërhyjë në ‘zonën e tyre’. Flamur Rraja dhe Ermal Tufa u proceduan penalisht në gjendje të lirë, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat. 

Aksioni antidrogë në Luz

Policia ka pasur informacione për dy persona që po transportonin lëndë narkotike dhe ka shkuar për të bërë arrestimin e tyre, Kujtim Ukaj dhe Abdurrahman Rizvani, që kapën me 60 kg kanabis. Shërbimet e Policisë ndaluan automjetet me të cilat udhëtonin dy të rinjtë në Luz të Fushë Krujës. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtohej nga 35-vjeçari, në pjesën e pasme, u gjetën gjetur 6 thasë me kanabis, me peshë totale 60 kilogramë. Burime bëjnë me dije se një kilogram i kanabisit do të shitej në vlerë 1200 euro, që në total përkthehet në 72000 euro.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Rr., 24 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Në vijim të veprimeve për këtë rast, janë proceduar penalisht shtetasit F. Rr., 56 vjeç dhe E. T., 26 vjeç, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit, dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Ariel Rraja është shpallur në kërkim edhe për dhunën që së bashku me babain e tij ushtroi ndaj Kujtim Cacës. Ngjarja ka ndodhur në tetor të 2024, pas një konflikti mes Flamur Rrajës dhe Kujtim Cacës. Shkak i sherrit mes familjes Rraja dhe Caca është bërë një pronë, më saktë, një kanal ndarës mes dy pronave. Ariel Rraja, 24 vjeç, nga Nikla e Krujës, është prangosur më herët nga policia pasi i janë gjetur në automjet kokainë dhe shuma parash. Ndërsa babai i tij Flamur Rraja ishte protagonist në dhunën ndaj dy vëllezërve Bilbil dhe Jashar Maja, ngjarje që çoi dhe në tërheqjen e Rrahman Rrajës nga politika./ZËRI

Poll

MOS HUMB