
TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shqyrtojë më 18 shkurt ankimin e ish-zv. kryeministrit Arben Ahmetaj kundër sekuestrimit të pronave dhe llogarive bankare të tij. Ahmetaj ka kërkuar rrëzimin e masave të sekuestrimit, duke argumentuar se ato janë vendosur në kundërshtim me të drejtat e tij kushtetuese.
Më parë Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesat e familjarëve të Ahmetajt për kthimin e pronave të sekuestruara, duke argumentuar se sekuestrimi është kryer në përputhje me ligjin dhe nuk ka shkelur të drejtat e tyre kushtetuese. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, personave që kanë lidhje familjare me të, Brunilda Mena, motra e Ahmetaj, Flamur dhe Teuta Hoxhës dhe Eljona Hoxhës përkatësisht prindërit e bashkëjetueses së Ahmetaj dhe kunatës së saj, iu sekuestruan telefona, USB çelësa makinash dhe pajisje kompjuterikë.
Kushtetusja njoftoi se telefoni i kunatës së bashkëjetueses së Ahmetaj u sekuestrua pasi ajo është autorizuar nga personi nën hetim për të kryer transaksione bankare në emër të tij, ndaj ekziston dyshimi për transferimin e parave në destinacione të ndryshme.
Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI