Aktualitet

Banorët në Has protestë ndaj kompanisë turke që shfrytëzon kromin: Na janë dëmtuar banesat nga tritoli

Në mbështetje të tyre doli dhe nënkryetari i bashkisë së Hasit.

I.F
Banorët në Has protestë ndaj kompanisë turke që
Protesta e banorëve

HAS- Banorët në fshatin Vlahen në Has kanë protestuar sot ndaj kompanisë turke "Vllahen Mining" që shfytëzon minierën e kromit në këtë zonë pasi ka dëmtuar rrugët dhe banesat si pasojë e shpërthimit me dinamit. Një nga banorët, Ardian Kovaçi prej një viti ankohet në çdo instuticion pasi muret e shtëpisë së tij janë shkatërruar për shkak të punimeve që bëhen në minierën e kromit.

“Rrezikohet seriozisht jeta dhe prona jonë. Na ka bërë shumë dëme miniera. Bëjnë shpërthime pa kriter”, thanë ata.

Prej muajit tetor, banorët kanë depozituar dokumente në bashki, polici dhe agjencive që kanë për detyrë kontrollin e minierës por s’kanë marrë përgjigje. Në mbështetje të tyre doli dhe nënkryetari i bashkisë së Hasit. Ndërsa, administratori Nikolin Baçoku tha se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera ka kryer inspektime dhe ka dalë në konkluzionin se kompania po ben punime sipas kushteve teknike për lëndet plasëse.

“Rezulton se kemi koeficient sigurie me 50%”, tha ai.

Banorët e Hasit kanë shprehur dyshimet për këtë raport dhe thanë se do të përshkallëzojnë protestën deri në bllokimin e punimeve në minierë. Shoqëria “Vllahen Mining” është në pronësi të kompanisë turke “Yildirim Group”, e cila shfrytëzon edhe kromin e Bulqizës. /ZËRI

Poll

MOS HUMB