Aktualitet

Debat në GJKKO, Veliaj-prokurorit Dado: Të kam dhënë leje ndërtimi, më the 'do ta mbaj mend'

Siç bëhet me dije, gjatë seancës së sotme kryebashkiaku Veliaj i është drejtuar hetuesit Ols Dado, duke i kujtuar një leje ndërtimi të dhënë në vitin 2021.

k.m.
Debat në GJKKO, Veliaj-prokurorit Dado: Të kam dhënë leje
Erion Veliaj dhe Ols Dado

TIRANË- Seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kryebashkiakun Erion Veliaj është shoqëruar me debate. Siç bëhet me dije, gjatë seancës së sotme kryebashkiaku Veliaj i është drejtuar hetuesit Ols Dado, duke i kujtuar një leje ndërtimi të dhënë në vitin 2021. Duke pretenduar se është në konflikt interesi, i kërkon largimin nga dosja.

“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu,”-i ka thënë Veliaj hetuesit të çështjes. Por teksa Veliaj ka mbajtur fjalën gjyqtari Erjon Bani i ka tërhequr vëmendjen kryebashkiakut për tonin e zërit dhe ruajtjen e solemnitetit para gjykatës.

Në përgjigje, prokurori është shprehur: Po, është e vërtetë që në Bashkinë e Tiranës një ndërtues, zhvillues ka marrë leje për të ndërtuar, zhvilluar një pronë të nënës sime të viteve 1920 në kryeqytet dhe për këtë unë ty të kam falënderuar. Ti ndoshta nuk e ke, por unë e kam këtu telefonin dhe SMS falënderuese që të kam çuar ty për atë leje që ti ke dhënë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj do të njihet sot në GJKKO me masën e sigurisë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB