TIRANË-Gazetari Osman Stafa ka kallëzuar në Polici se ka marrë një mesazh kërcënues në llogarinë e tij në rrjetet sociale. Stafa ka kallëzuar rastin në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pasi ka marrë përmes Facebook Messenger një mesazh kërcënues, ku shkruhej "mbaje mend, do të të vras" dhe "Unë e garantoj këtë".
Sipas deklarimit të Stafës, më 8 shtator ai kishte filmuar dhe publikuar pamje nga një protestë pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku shfaqeshin katër persona me veshje civile gjatë ndalimit të një protestuesi dhe pretendon se ekziston mundësia që kërcënimi të jetë i lidhur me publikimin e këtyre pamjeve.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar zyrtarisht edhe Policia e Shtetit, ku njofton se mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar. Blutë kanë nisur hetimet dhe po punohet për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit. Materialet janë referuar në Prokurori, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas kallëzimit të shtetasit O. S., 34 vjeç, banues në Tiranë, (gazetar), i cili ka deklaruar se ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në llogarinë e tij në një rrjet social.
Mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar. Në kuadër të veprimeve hetimore po punohet për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 186/a, 121/a dhe 84 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personit përgjegjës.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve dhe, në veçanti, sigurinë e gazetarëve në ushtrimin e detyrës së tyre, duke reaguar ndaj çdo forme kërcënimi, intimidimi apo presioni që cenon sigurinë dhe lirinë e tyre për të ushtruar profesionin.
Lidhur me rastin Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe SafeJournalists kanë kërkuar nisjen menjëherë të hetimeve, të sigurohen provat digjitale dhe të identifikojnë personin që qëndron pas llogarisë nga e cila është dërguar kërcënimi.