TIRANË- Besiana Kadare është liruar nga detyra e ambasadores së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Presidenti Bajram Begaj ka firmosur dekretin që konfirmon se Kadare nuk do të shërbejë më në detyrën si ambasadore në OKB. Vendimi është marrë pasi vajzës së shkrimtarit të njohur shqiptar, i ka mbaruar mandati si ambasadore.
“Zonja Besiana Kadare lirohet nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident”, shkruhej në dekretin e firmosur nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Kadare, e njohur gjithashtu si vajza e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, ishte emëruar në këtë post në vitin 2021 nga ish-presidenti Ilir Meta.
Kush është Besiana Kadare?
E lindur në Tiranë, Sh.S.Znj. Besiana Kadare është diplomuar në Universitetin Sorbonne Paris-IV në Paris, Francë. Ajo zotëron një diplomë Master në Letërsi Moderne dhe Krahasuese, e pasuar nga një Diplomë e Studimeve të Larta të Specializuara (Diplôme d’Études Supérieures Spécialisées – DESS) në Letërsi Moderne të Specializuar. Znj. Kadare e ka nisur karrierën e saj profesionale në Francë, në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke punuar për kompanitë Grolier Interactive Europe, Lycos France dhe Lagardère Active Media. Në vitin 2002, znj. Kadare iu bashkua Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në Departamentin e Organizatave Ndërkombëtare, dhe më pas u emërua Sekretare e Parë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Në vitin 2005, ajo iu bashkua Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Shqipëri, ku menaxhoi një projekt të madh ndërkombëtar për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të grave dhe fëmijëve. Në vitin 2008, znj. Kadare u emërua në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Francë, ku mbuloi kryesisht çështjet që lidhen me UNESCO-n. Nga viti 2011 deri në vitin 2016, znj. Kadare shërbeu si Ambasadore dhe Delegate e Përhershme e Republikës së Shqipërisë pranë UNESCO-s (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë), si dhe nga viti 2013 deri në vitin 2015 mbajti postin e Zëvendëskryetares së Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s.
Në vitin 2016, ajo u emërua Përfaqësuese e Përhershme e Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si dhe Ambasadore jo-rezidente e Shqipërisë në Kubë. Në Kombet e Bashkuara, ajo udhëhoqi punën përgatitore dhe fushatën e lobimit që rezultoi në zgjedhjen e Shqipërisë, për herë të parë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për një mandat dyvjeçar 2022–2023. Ambasadorja Kadare ka shërbyer si Zëvendëspresidente e Bordit Ekzekutiv të UNDP/UNFPA/UNOPS për dy vite rresht (2018–2019). Ajo gjithashtu mbajti postin e Zëvendëspresidentes së sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (2020–2021)./ZËRI