Aktualitet

SKANDALI/ Kamera high luxury në Tushemisht, çfarë fshihet pas kostove marramendëse për shtyllat?

Kamera PTZ janë pajisje të kushtueshme, dhe kërkojnë mirëmbajtje përfshirë energji dhe staf, të cilat kushtojnë 1000 dollarë secila, ndërsa flitet se 12 mijë euro ka kushtuar njëra shtyllë.

F.I
SKANDALI/ Kamera high luxury në Tushemisht, çfarë fshihet pas
Ilir Xhakolli

POGRADEC-Në Tushemisht, teknologjia moderne është ngritur mbi shëtitore! 58 kamera të vendosura në shtylla çdo 20 metra kanë marrë vëmendjen e banorëve dhe jo vetëm, duke nxitur një debat në rrjete sociale. Pamjet janë bërë virale në internet dhe të gjithë po pyesin se për çfarë duhen apo shërbejnë gjithë këto kamera, në një fshat turistik që nuk është i njohur për krime apo ngjarje të tjera të së njëjtës natyrë.

Së fundmi edhe inxhinieri Azmer Duleviç ka postuar një video nga Tushemishti, i cili shprehet se situata nuk ka kuptim dhe dy-tre kamera do të mjaftonin për të mbuluar shëtitoren.


Projekti, pjesë e bashkëpunimit mes AADF, FSHZH dhe Bashkisë Pogradec me pesëdhjetë e tetë shtylla inteligjente me kamera, sensorë e Wi-Fi publik të cilat qëndrojnë sot si dekor në vend, raportohet të ketë kushtuar rreth 17 milionë lekë. Kamera PTZ janë pajisje të kushtueshme, dhe kërkojnë mirëmbajtje përfshirë energji dhe staf, të cilat kushtojnë 1000 dollarë secila, ndërsa flitet se 12 mijë euro ka kushtuar njëra shtyllë.

Investimi që do të transformonte zonën Drilon-Tushemisht u diskutua që në vitin 2022, ku prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli si dhe Aleksandër Sarapuli nga AADF, u mblodhën për të diskutuar hapat teknikë dhe kalendarin e zbatimit të punimeve. 

Me mbështetjen e qeverisë nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, u miratuar fondi me vlerë 4 milionë dollarë për zbatimin e projektit të “Shëtitores së Tushemisht nga ura e Drilonit deri në pikën doganore të Tushemishtit”. Konkretish kamerat u financuan nga AADF, ndërsa zbatuesi në terren është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli u shpreh se e veçantia e këtij projekti ishin 58 ndriçues inteligjentë të pajisur me sensorë ajri, kamera sigurie dhe ekrane informuese me prekje për turistët. Ndërsa vetë Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim mohoi në korrik të këtij viti të ketë financuar projektin. 

Qeveria më herër njoftoi se projekti është pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse për të rritur cilësinë e jetës për banorët dhe për të fuqizuar pozicionin e qytetit si një nga destinacionet kryesore turistike në vend, por a ishin të nevojshme dhjetra kamera në Tushemisht në 1.2 km rrugë? 

ZËRI ka kontaktuar me Bashkinë e Pogradecit në lidhje me kompaninë apo fondacionin që financoi këtë projekt, pse duhej ky investim i kushtueshëm dhe a ka dikë që i kontrollon dhe menaxhon këto kamera të vendosura?

Poll

MOS HUMB