SHKODËR- Hysni Ymeri rreth 55 vjeç ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit në hyrjen e një pallati në Shkodër. Policia me anë të një njoftimi zyrtar raportoi se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një shpërthimi në një nga panelete e matëseve të energjisë elektrike.
"Rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësave të energjisë elektrike. Si pasojë u dëmtua një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 55 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër,"-thuhet në njoftimin e policisë.
Por nga ana tjetër Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka hedhur poshtë deklaratën e Policisë. Sipas OSHEE, shpërthimi nuk ka ndodhur shkak të boksit të matësave në pallat.
"Në lidhje me ngjarjen në Shkodër, sipas informacioneve paraprake, informojmë se shpërthimi nuk ka ndodhur për shkak të boksit të matësave në pallat”, deklaroi OSHEE.
Reagimi i OSHE ngre dyshimet për një atentat të mundshëm dhe lënda plasëse dyshohet se është vendosur në sahatet e energjisë./ZËRI
