TIRANË-Partia Demokratike mbajti mbëmjen e djeshme protestën e 8-të kombëtare. Tubimi pa fjalime nisi para Kryeministrisë dhe zgjati mbi tre orë. Tensionet nuk munguan ku gjithçka nisi me marshimin drejt Ministrisë së Brendshme.
Si pasojë e hedhjes në drejtim të punonjësve të Policisë të bombave molotov, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta nga disa protestues, u lënduan 3 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Ata u dërguan për mjekim në Spitalin Ushtarak.
Policia njofton se ka nisur hetimi për 7 protestues për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, dhe një shtetas (deputet) për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”. Një hetim ka nisur edhe për deputetin Klevis Balliu. Efektivët sekuestruan 1 molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.
Njoftimi i policisë:
Policia e Tiranës, menjëherë pas përfundimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike mbrëmjen e datës 08.05.2026, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjatë tubimit disa persona hodhën lëndë djegëse (molotov), lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë me sende të forta dhe për pasojë u lënduan 3 punonjës policie, procedoi penalisht 7 shtetas.
Nga këta: 6 për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, dhe një shtetas (deputet) për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”. Gjatë veprimeve, policia sekuestroi 1 molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.