Aktualitet

Burg për trafikantët e armëve, 8 të arrestuarit 'kyçin gojën' në Gjykatë

Mbrojtja ka ngritur pretendime se është vepruar në kundërshtim me ligjin përsa i përket blerjeve të stimuluara, pasi sipas tyre policia i ka shtyrë individët në veprime të kundërligjshme.

F.I
Burg për trafikantët e armëve, 8 të arrestuarit
ARMET E SEKUESTRUARA

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg” për 8 të arrestuarit në kuadër të hetimeve për shitblerje armësh nga Kosova drejt Shqipërisë. Në qeli do të qëndrojnë: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj dhe Adriano Shehu. 

Para gjykatës, asnjë nga të dyshuarit nuk ka folur. Nga ana tjetët mbrojtja ka ngritur pretendime se është vepruar në kundërshtim me ligjin përsa i përket blerjeve të stimuluara, pasi sipas tyre policia i ka shtyrë individët në veprime të kundërligjshme. Avokatët kanë kërkuar akt-ekspertizat e armëve për të vërtetuar nëse janë ose jo funksionale. Mbrojtja i ka kërkuar gjykatës që të cilësojë të paligjshëm arrestimin dhe të marrë parasysh faktin se të dyshuarit nuk kanë precedentë penalë të mëparshëm. 

Organi i akuzës ka vënë në dispozicion të gjykatës akt-ekspertizat e kryera për armët e sekuestruara më herët gjatë ndalimit të Altin Pajazitit dhe Kadri Prushit, ku njëra prej armëve rezulton jashtë funksionit. Pajaziti dhe Prushi u arrestuan më 1 prill të vitit 2025.

Gjatë operacionit të zhvilluar nga strukturat e rendit janë sekuestruar 14 armë zjarri, 12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë, si dhe 2077 fara kanabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.

Grupi u godit pas një hetimi 5 mujor, ku në kuadër të operacionit të koduar “Puzzle” u arrestuan 10 të rinj, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Të arrestuarit: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu, Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi. Grupi kishte bazë edhe në Shqipëri, konkretisht në Burrel, ndërsa disa prej antarëve të grupit janë kapur duke shitur armë edhe në Shkodër e Laç. Çmimet e pistoletave që shisnin varionin nga 500 deri në 2500 euro. Armët që grupi kriminal shiste ishin pistoleta, edhe të llojit Glock, si  edhe automatikë./ZËRI

Poll

MOS HUMB