
DURRËS- Është shoqëruar me debate mbledhja e Këshillit Bashkiak në Durrës pas përjashtimit të disa familjeve nga lista e përfituesve të banesave të rindërtuara në Durrës. Sipas këtij projekt-vendimi këto familje nuk përfitojnë nga programi i rindërtimit në pallatin nr. 1032 në rrugën “Aleks Komneni” dhe pallatin “Kastrati”në rrugën “Ramadan Veliu”, pasi rezultojnë të jenë pronarë e dy banesave ose nuk banojnë në Durrës.
Vendimi është kundërshtuar nga disa këshilltarë, sipas Shqiptarja.com, që e cilësuan atë të padrejtë. Ata theksojnë se banesat e përfshira në procesin e rindërtimit ishin pronë e ligjshme e këtyre familjeve përpara tërmetit të 26 nëntorit 2019.
“Në momentin që i shpronësojmë të drejtën e apartamentit, nuk i shpronësojmë dot të drejtën e truallit. Trualli mbetet aty edhe kur pallati shembet. Ai person që ka pasur apartamentin sipër gëzon 1/50 pjesë të truallit. Atij njeriu i lind e drejta nesër ta çojë në gjykatë dhe do ta fitojë atë apartament. Natyrisht, në një regjim diktatorial - komunist gjithçka ndodh,”- tha Myshketa këshilltar i PD-së.
“Është realisht një VKM, por është e padrejtë. Le t'i shohim gjërat në sy siç janë. Pse duhet të fshihemi pas VKM-ve, kur ato familje që kanë investuar jetën e tyre, mundin e tyre, djersën e tyre me një të rënë të lapsit zërohen,”- tha Muka këshilltari i PD-së.
Megjithatë, projektvendimi për përjashtimin e këtyre familjeve u miratua me 28 vota pro nga këshilltarët e mazhorancës.