Aktualitet

Operacioni që goditi Troplinët, SPAK del me njoftim zyrtar: Janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të drogës

Urdhër arrest është lëshuar edhe ndaj Elvis Doçit, i njohur në Durrës edhe me nofkën "Visi i Pojës", por ai nuk është gjetur dhe është shpallur në kërkim.

F.m
Operacioni që goditi Troplinët, SPAK del me njoftim zyrtar: Janë
SPAK

TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me operacionin “Ura” që u zhvillua sot. Në njoftim bëhet me dije se janë lëshuar 52 masa sigurimi personale. Në total, janë proceduar 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë, të përfshirë në tre grupe të organizuara kriminale – njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Puglias, Itali. SPAK bën me dije se gjatë hetimeve të zhvilluara në periudhën 2020–2025, janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës. Një nga episodet përfshinte transportin e 255 kg heroinë dhe kokainë në Bari, përmes korrierëve ndërkombëtarë. Urdhër arrest është lëshuar edhe ndaj Elvis Doçit, i njohur në Durrës edhe me nofkën "Visi i Pojës", por ai nuk është gjetur dhe është shpallur në kërkim.

Njoftimi:

Në kuadër të një hetimi të përbashkët ndërkombëtar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Barit (DDA), me mbështetjen e Eurojust dhe përmes ngritjes së një Skuadre të Përbashkët Hetimore, ekzekutuan sot, më 21 maj 2025, një operacion të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale. 

Operacioni rezultoi në 52 masa sigurimi personale, përkatësisht:

29 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Posaçme për anëtarë të grupeve kriminale që vepronin në Shqipëri;

1 urdhër ndalimi i lëshuar nga Prokuroria e Posaçme;

22 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Barit në Itali. 

Në total, janë proceduar 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë, të përfshirë në tre grupe të organizuara kriminale – njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Puglias, Itali.

Gjatë hetimeve të zhvilluara në periudhën 2020–2025, janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës. Një nga episodet përfshinte transportin e 255 kg heroinë dhe kokainë në Bari, përmes korrierëve ndërkombëtarë.

Sekuestrimet e pasurive janë kryer paralelisht në të dy vendet dhe përfshijnë:

            Në Shqipëri:

2 kompani ndërtimi,

4 shoqëri tregtare dhe restorante,

1 agjenci pasurish të paluajtshme,

1 TV kabllor,

automjete luksoze, para cash, etj. 

Më parë, gjatë hetimeve janë sekuestruar 3 milionë euro “cash”.

Në Itali:

9 apartamente,

4 kompani,

7 llogari bankare,

3 automjete, të sekuestruara në kuadër të masës së “sekuestros preventive”.

Hetimet u bazuan në metoda të avancuara hetimore si përgjime telefonike dhe ambientale, regjistrime video,vëzhgime dhe kontrolle,analiza të komunikimeve të koduara në platformën SKYEÇ, dëshmi të tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Autoritetet evidentuan se pagesat për lëndët narkotike kryheshin nga Italia drejt Shqipërisë përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të autobusëve, ndërsa vlera totale e transaksioneve të drogave të dokumentuara arrin në 4.5 milionë euro.

Gjithashtu, është dokumentuar edhe transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine, si parapagim për një sasi prej 500 kg kokaine që nisej nga Guayaquil, Ekuador.

Procedurat aktualisht ndodhen në fazën e hetimit paraprak, dhe autoritetet ligjzbatuese në të dy vendet po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal dhe korruptiv.

Poll

MOS HUMB