
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka shpallur vendimin për vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku. Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci janë dënuar me burg përjetë. Sipas vendimit të dhënë nga gjyqtari Gerd Hoxha, të dy të pandehurit u gjetën fajtorë për “vrasje të punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”. Jambelli u shpall fajtor se nga Prokuroria se ishte porositësi i vrasjes, ndërsa Leci ishte ndërmjetësi mes tij dhe Mikel Shallarit, personit që kreu ekzekutimin e zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit. Për vrasjen Shallari, u dënua me 10 vite burg.
Shallari, asokohe vetëm 24 vjeç, tha se i ishte premtuar një pagesë 20 mijë euro për vrasjen. Po ashtu, tregoi se Jambelli i kishte premtuar edhe një jetë të re në Gjermani. Por nuk ndodhi kështu! Sipas tij, pas vrasjes kishte marrë vetëm një shumë prej 2 mijë eurosh dhe disa shuma të vogla nga 200-300 euro të dërguara nga Leci e Jambelli që ishin të vendosur nga jashtë Shqipërisë.
Si ndodhi vrasja e kryekomisarit Artan Cuku?
Atentati ndaj Artan Cukut u krye në datën 7 prill të vitit 2017 në hyrjen e pallatit ku banonte viktima, tek rruga e ‘Kosovarëve’ tek Liqeni Artificila në Tiranë. Për vrasjen e kryekomisarit ra në pranga Mikel Shallari, i cili rrëfeu të plotë të gjithë organizimin e vrasjes dhe se porositësi ishte Bledar Jambelli. Jambelli vëzhgonte gjithçka në terren dhe se me Shallarin komunikonte vetë nëpërmjet Kristaq Lecit (që u arrestua sot në Greqi), kushëriri i Mikel Shallarit. Mësohet se është pikërisht Leci ai që i ka dhënë pagesën prej 20 mijë eurosh Mikel Shallarit, i cili mori përsipër të kryente ekzekutimin.
Kristaq Leci dhe Bledar Jambelli 48 orë pas ngjarjes u larguan në Greqi pa kaluar nëpërmjet sistemit TIMS. Motivi që mendohet të kenë shtyrë Jambellin të urdhëronte vrasjen e Cukut është rihapja e një dosjeje në vitin 2012, kohë kur kryekomisari ishte Drejtor i Policisë Vlorë. Kryekomisari e rihapi këtë dosje të mbyllur nga prokuroria dhe gjeti prova të reja për vrasjen e Shpëtim Mukës dhe Ervis Shehut në vitin 1997, e njohur si masakra e “Pusit të Mezinit”.
Provat e reja sollën edhe arrestimin e Bledar Jambellit. Gjithsesi 38-vjeçari u la i lirë nga gjykatat shqiptare për mungesë provash në vitin 2013 madje mori edhe mbi 500 mijë lekë dëmshpërblim nga shtetit për ditët e burgut.
Por 4 vite më vonë Jambelli nuk harroi të hakmerrej.
Pas vrasjes, i akuzuar kryesor u largua për në Greqi. Bledar Jambelli është arrestuar në shtetin fqinjë dhe aktualisht ndodhet në burg në Greqi për një ngjarje të vitit 2022, ku mbetën të plagosur pesë persona, ndërsa vendndodhja e Kristaq Lecit nuk dihet. Edhe pse në burg, autoritetet greke nuk e kanë pranuar ekstradimin e Jambelli./ZËRI