GJIROKASTËR- Përmbytje masvie janë regjistruar përgjatë orëve të fundit në Gjirokastër për shkak të reshjeve intensive. Lagjet, rrugët dhe banesat janë përmbytur, duke bllokuar qarkullimin dhe banorët, ndërsa këta të fundit gjenden në rrezik për jetën nëse reshjet do të vijojnë.
Uji ka dalë jashtë kontrollit dhe ka vërshuar duke marrë çdo gjë përpara, e megjithatë, deputeti socialist Pirro Dhima, shprehet se është marrë çdo masë e mundshme për menaxhimin e situatës, ndërsa thekson se prurjet aktuale janë të papërballueshme për kolektorët dhe rrjetin kullues.
Përballë kësaj situate, ku emergjencat nuk po funksionojnë, Dhima duket se e kalon të gjithë peshën dhe përgjegjësine e mbrotjes tek banorët, duke iu bërë atyre thirrje të mos dalin nga banesat sepse paraqesin rrezik serioz për jetën.
Postimi i plotë:
THIRRJE URGJENTE PËR QYTETARËT
Të nderuar qytetarë,
Për shkak të reshjeve intensive dhe prurjeve shumë të larta të ujërave, situata në disa zona paraqet rrezik serioz për jetën dhe pronën. Prurjet aktuale janë të papërballueshme për kolektorët dhe rrjetin kullues.
Ju bëjmë thirrje të mos dilni nga banesat tuaja për asnjë arsye, përveç rasteve absolutisht emergjente.
Mos qarkulloni me automjete, pasi rrezikohen si jeta ashtu edhe mjetet.
Të gjitha strukturat shtetërore, shërbimet e emergjencës dhe Bashkia janë në terren, duke ndjekur nga afër situatën dhe duke marrë çdo masë të mundshme për menaxhimin e saj.
Kërkojmë bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë tuaj, duke respektuar udhëzimet e autoriteteve, për të shmangur pasoja më të rënda.
Në raste emergjente, kontaktoni menjëherë numrat përkatës të shërbimeve të emergjencës.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe kujdesin.
Visualizza questo post su Instagram
Moti i keq ka rënduar ndjeshëm situatën në Gjirokastër. Si pasojë e reshjeve intensive, përroi i Ficos ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme në zonë. Rrugët e lagjes Varrosh janë mbuluar nga uji.
Visualizza questo post su Instagram
Reshjet intensive të orëve të fundit e kanë vendosur Gjirokastrën përballë një situate kritike. Dalja nga shtrati e përroit të Cullos ka sjellë përmbytje të konsiderueshme, duke bllokuar qarkullimin dhe duke krijuar kaos në disa prej zonave të qytetit. Banorët raportojnë se lëvizja është thuajse e pamundur, pasi uji ka mbuluar rrugë e trotuare, si edhe ka depërtuar pranë banesave dhe aktiviteteve tregtare./ZËRI