LEZHË- Një situatë alarmante paraqitet në të gjithë vendin për shkak të reshjeve intesive të shiut prej disa orësh, teksa disa zona tashmë janë përmbytur. Reshjet e vazhdueshme kanë bërë që lumenjtë të fryhen, duke rrezikuar përmbytjet dhe ujin të dalë nga shtrati duke vërshuar edhe në banesat e banuara.
Lezha është një nga qarqet më problematike, ku dhjetëra shtëpi dhe mijëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë nga vërshimet e lumenjve të fryrë nga reshjet e dendura të shiut. Ndërkohë, fshati Gjadër gjendet në një situatë edhe më alarmante, ku uji ka depërtuar brenda banesave, ndërsa aty mungon prania e qendrave të emergjencës civile, duke vështirësuar dhe alarmuar edhe më shumë banorët. Raportohet se lumi Gjadër ka dalë nga shtrati në zonën e Vaut të Dejës, duke bërë që të rritet niveli i ujit dhe të depërtojë në disa vende përreth.
Si një ndër më të goditurit, territori i Qarkut Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshjet e shiut me intensitet mesatar e gjatë gjithë ditës, ku mbi 1000 ha tokë është ende nën ujë./ZËRI