Aktualitet

Dështon grabitja në Sukth/ Ndjekje me makina dhe shkëmbim zjarri me policinë, plagoset njëri prej autorëve (DETAJET)

Blutë bëjnë me dije se Ardit Domi, 28 vjeç, banues në Bilalas të Shijakut, dhe Lorenc Çali, 27 vjeç, banues në Bilalas, hapën zjarr ndaj uniformave blu gjatë tentativës për t'u larguar.

zh.ll

Dështon grabitja në Sukth/ Ndjekje me makina dhe shkëmbim zjarri

DURRËS- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën Durrës-Tranë, ku dy persona që vodhën një automjet dhe e përdorën për vjedhje me dhunë, janë përplasur edhe me policinë. Blutë bëjnë me dije se Ardit Domi, 28 vjeç, banues në Bilalas të Shijakut, dhe Lorenc Çali, 27 vjeç, banues në Bilalas, hapën zjarr ndaj uniformave blu gjatë tentativës për t'u larguar. Policia është përgjigjur me zjarr, teksa si pasojë ka mbetur i plagosur 28-vjeçari, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, 27-vjeçari pasi bëri rezistencë ndaj efektivëve të Policisë, u neutralizua dhe u vu në pranga. 

Njoftimi: 

Durrës/ Vodhën një automjet dhe e përdorën për të kryer vjedhje me dhunë në një karburant në Sukth, por u identifikuan nga Policia.

Gjatë ndjekjes, dy autorët hapën zjarr ndaj shërbimeve të Policisë dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, njëri prej tyre mbeti i plagosur.

Autori tjetër, pas rezistencës me armë ndaj shërbimeve të Policisë, u neutralizua dhe u vu në pranga.

Shërbimet e Policisë sekuestruan një armë zjarri kallashnikov dhe dy krehra fishekësh.

Rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, në autostradën Durrës-Tiranë, te "Çifligu" në Sukth, shërbimet e Policisë konstatuan automjetin e vjedhur më datë 20.08.2025, në orën 20:30, në Sektor Rinia, Durrës, me të cilin, më datë 21.08.2025, rreth orës 03:40, sipas njoftimit të një shtetasi të punësuar në një karburant në Sukth, ishte grabitur me dhunë shuma e lekëve të xhiros.

Shërbimet e Policisë së Durrësit u vunë në ndjekje të automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Tiranës, dhe u njoftua edhe DVP Tiranë për ndihmë.

Si pasojë e shpejtësisë së madhe, pa shkuar në Vorë, tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore që shkon për Shijak, automjeti doli nga rruga dhe, gjatë kësaj kohe, nga brenda tij u hap zjarr ndaj punonjësve të Policisë, të cilët, të gjendur përballë kësaj situate, u përgjigjën me zjarr, në kushtet e mbrojtjes së nevojshme. Si pasojë, u plagos njëri nga autorët, shtetasi A. D., 28 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Personi tjetër, shtetasi L. Ç., 27 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, pasi bëri rezistencë me armë ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar jetën e tyre, u neutralizua dhe u kap nga shërbimet e Policisë Durrës.

Gjatë veprimeve të Policisë së Durrësit, kanë ardhur në mbështetje edhe forcat e Policisë së DVP Tiranë.

Në vendin e ngjarjes u gjet një armë zjarri automatik me 2 krehra, e përdorur nga dy personat e sipërpërmendur.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna nga Sektori për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës, për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur.

Poll

MOS HUMB