DURRËS- Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni 'blic' i zhvilluar mbrëmjen e kaluar nga Policia në zonën e Shkozetit, ku ranë në pranga Aldi Mustafa dhe Arbi Haxhiu. Në një konferencë për mediat, Policia e Durrësit bëri me dije se gjatë arrestimit të tyre iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje. Sipas policisë, 39-vjeçari Aldo Mustafa, ka qenë në kërkim për një ngjarje të ndodhur në datë 13 gusht të këtij viti dhe rezulton me rrezikshmëri të lartë kriminale.
Pjesë nga deklarata e Policisë së Durrësit:
Po në kuadër të zbatimit të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në vijim të punës së pandërprerë dhe goditjeve të njëpasnjëshme për këtë qëllim, mbrëmjen e djeshme strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës zhvilluan dhe finalizuan me sukses një tjetër operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next Gun".
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit A. M., 39 vjeç, dhe A. H., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.
39-vjeçari A. M., person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit I. Gj.
Angazhimi dhe përkushtimi maksimal i strukturave vendore të Policisë së qarkut Durrës, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, si dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka bërë të mundur që sezoni turistik në qarkun Durrës të vijojë pa asnjë problem për sa i përket rendit dhe sigurisë.
Përfitoj nga rasti t’i garantoj qytetarët e qarkut Durrës se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës vijojnë me intensitet veprimet hetimore për zbardhjen e çdo ngjarjeje kriminale të ndodhur më parë, kapjen e personave në kërkim dhe për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.
Aldi Mustafa dhe Arbi Haxhiu ranë në prangat e policisë së Durrësit gjatë një aksioni të zhvilluar mbrëmjen e djeshme. 39-vjeçari Aldi Mustafa është një emër i njohur për policinë, anëtar i grupit të 'Rrumit të Shijakut'. Në shtator të vitit 2023, ai ndalua në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku u raportua se ishte nisur të kryente vrasje. Efektivët gjetën armën e zjarrit gati për qitje. Kjo vrasje mund të bëhej, për shkak se Mustafa donte të merrte hak, pasi në prill 2023, atij iu vendos tritol në automjet, pranë Shkozetit.
Ai është arrestuar edhe në tentativë për të kryer një vrasje më 2021. Mustafa ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dënuar me 10 vite burg në Gjermani. Mustafa mësohet se ka qenë anëtar i një bande në qytetin e Durrësit. Dyshohet se ai ka pasur lidhje me ‘Rumin’, një personazh i krimit në qytetin bregdetar. ‘Rumi’, Aleksandër Laho, alias Pëllumb Muharremi ishte në makinë me prokurorin Arjan Ndoji, kur ndodhi atentati ndaj tyre në autostradën Tiranë-Durrës./ZËRI


