
DURRËS- Aldi Mustafa, një person me precedent penalë që i shpëtoi një atentati më 3 prill të këtij viti, është vënë në pranga teksa qarkullonte me armë zjarri. Zëri.ai mëson se 37-vjeçari është prangosur në zonën e ish-kënetës në Durrës.
Mustafa është ndaluar dhe kontrolluar nga autoritetet teksa udhëtonte në mjet me disa persona të tjerë. Efektivët i kanë gjetur armën e zjarrit gati për qitje, duke ngritur dyshimet se i riu, i njohur si pjesë e grupit të ‘Rrumit të Shijakut’, Aleksandër Laho, ishte nisur të kryente vrasje.
Si i shpëtoi Mustafa atentatit?
Aldi Mustafa po udhëtonte me makinën e tij më datë 3 prill 2023, kur rreth mesditës shpërtheu lënda plasëse që i ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit. 37-vjeçari shpëtoi pa u lënduar nga ngjarja.
Kush është Aldi Mustafa?
Aldi Mustafa është vënë në pranga bashkë me dy persona të tjerë në vitin 2021, Uran Zyka, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja” dhe Tahir Gjinika, pasi ishin nisur për të kryer një vrasje.
Mustafa, banues në Durrës, rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ai gjithashtu është dënuar dhe me 10 vite burg në Gjermani.
Emri i Aldi Mustafës lidhet vitet e fundit me atë të Rrumit të Shijakut, i cili i shpëtoi atentatit që iu bë ish-prokurorit Arjan Ndoj, pasi ndodhej në një makinë me këtë të fundit.