
POGRADEC- Një 52-vjeçare u gjet pa shenja jetë në Pogradec në banesën që i ishte përfshirë nga tymi dhe zjarri! 52-vjeçarja Kozeta Teço u gjet në orët e para të mëngjesit të sotëm pa shenja jete. Fillimisht, vdekja e saj u dyshua se kishte ardhur nga asfiksia për shkak të tymit, por me kalimin e orëve më shumë detaje u zbuluan.
Nga kqyrja paraprake e trupit të viktimës, ekspertët mjeko ligjorë kanë konstatuar shenja të jashtme dhune. Viktima kishte një të çarë në fyt me thikë dhe një plagë në krah. Duke marrë parasysh shenjat e dhunës, ka dyshime se Kozeta Teço është vrarë dhe më pas, banesës i është vendosur flaka për të fshehur gjurmët e krimit.
Për ngjarjen, aktualisht në pranga është vendosur një person, i cili dyshohet si autor i vrasjes. Pranë një kazani mbetjesh urbane, janë gjetur një palë pantallona, për të cilat dyshohet se i përkasin autorit të dyshuar të ngjarjes. Zbulimi është bërë pas analizës së pamjeve filmike nga një biznes privat, i pozicionuar përballë vendit ku ndodhet kazani. I vendosuri në pranga është kapur nga kamera duke hedhur rroba në kazanin e mbeturinave. Por deri më tani, Ilirjan Selamani ka mohuar gjithçka. Me një buzëqeshje në fytyrë, ai tha: Po çfarë vrasje? Ç'ne unë? Nuk jam ai që e ka vrarë. S’më intereson. Nuk jam unë vrasësi!
Edhe pse ai vetë e mohon, dyshohet se Ilirjan Selmani ka patur lidhje intime me viktimën.
Gruaja, e pamartuar dhe pa fëmijë, jetonte në kushte të vështira ekonomike në banesën në lagjen nr. 1 në Pogradec. Motra e saj e ndihmonte ekonomikisht dhe madje ishte personi i fundit që e kishte vizituar viktimës. Mbrëmë ajo ishte në banesën e saj dhe më pas ishte larguar drejt Tiranës, ku edhe banon./ZËRI
