TIRANË-Një çift nga Tirana ka rënë në pranga pasi dyshohet se kanë mashtruar qytetarët se do t’iu blinin apartamente. Duke u hequr si agjent imobiliar, Elvis Ramca dhe Veriana Ziu, pasi përvetësonin paratë, falsifikonin mandate banke për të mashtruar qytetarët se paratë ishin depozituar. Për ta bërë më të besueshme, çifti mandatet e falsifikuara ua paraqitnin edhe shoqërive në fushën e ndërtimit, për t’i mashtruar që të lidhnin kontrata për shitblerje apartamentesh.
Njoftimi i policisë:
Iu merrnin shuma të mëdhaja parash, qytetarëve, duke i mashtruar se do t’iu blinin apartamente, dhe më pas falsifikonin mandate banke, për t’i bindur për depozitimin, arrestohen 2 shtetas (bashkëjetues).
Mandatet e falsifikuara, 2 shtetasit ua paraqitnin edhe shoqërive në fushën e ndërtimit, për t’i mashtruar që të lidhnin kontrata për shitblerje apartamentesh.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, të kryera pas kallëzimeve të disa qytetarëve se iu kishin dhënë shuma parash, 2 shtetasve, të cilët i kishin mashtruar dhe nuk kishin blerë apartamentet e kërkuara në këmbim, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Sektorit të Forces së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Agjentët e rremë”.
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. R., 39 vjeç dhe V. Z., 34 vjeçe, bashkëjetues.
Nga hetimet e kryera dyshohet se 2 shtetasit iu kanë marrë shuma të konsiderueshme parash, qytetarëve, duke iu premtuar se do t’iu blinin apartamente. Pasi përvetësonin paratë, 2 shtetasit falsifikonin mandate banke, për të mashtruar qytetarët se paratë ishin depozituar. Më pas, dokumentet false i paraqitnin dhe te përfaqësues të shoqërive në fushën ndërtimit, me qëllim lidhjen e kontratave fiktive, për shitblerje apartamentesh. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
