DURRËS- Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Teilor Tivarin, autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit Valbon Beqiri. Seanca gjyqësore zgjati 40 minuta dhe u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, ndërsa mësohet se autori është shprehur i penduar pasi ndodhej nën efektin e lëndëve narkotike. Tivari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Po ashtu, gjykata ka lënë në burg edhe personin që e ndihmoi të largohej nga vendngjarja.
Ngjarja ndodhi paraditen e së mërkurës, rreth orës 10:00, kur Beqiri u godit mbi 20 herë me thikë brenda banesës së tij në Durrës. Krimi u zbulua pasdite, kur i ndjeri nuk shkoi të merrte djalin nga shkolla. Autoritetet dyshojnë se Teilor Tivari kishte hyrë në banesë për të blerë lëndë narkotike, por pas një konflikti e goditi disa herë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme të Beqirit. Fillimisht, autori 24-vjeçari në dëshminë e tij ka deklaruar se e qëlloi viktimën pasi ky i fundit tentoi ta përdhunonte ndaj e qëlloi për vdekje.
Sipas hetimeve, rezulton se ai është qëlluar që tek dera nga autori i dyshuar. Më pas ka pasur përleshje mes tyre. Viktima ka tentuar të mbrohet, ndërkohë që apartamenti është gjetur krejt i mbuluar në gjak, që nga dera kryesore dhe në të gjithë banesën. Viktima u gjet poshtë tavolinës në kuzhinën e apartamentit. Gjithçka rezulton se ka ndodhur brenda një harku kohor prej 25 minutash dhe në kamerat e sigurisë është parë dhe hyrja e 24-vjeçarit në pallat. Pas ngjarjes, autori është larguar nga apartamenti duke u ndihmuar nga një 27-vjeçar i cili me taksi e ka dërguar fillimisht Teilor Tivarin në banesë.
Në apartament, viktima u gjet pa shenja jete nga nipi i tij. Viktima Marko Beqiri nuk është vrarë në shtëpinë e tij por në një apartament për të cilin duhet të kujdesej, në pronësi të kushërirës së tij, pasi kjo e fundit jetonte në emigrim dhe i kishte lënë çelësat 51 vjeçarit për t'a mirëmbajtur. Viktima jetonte në banesë me bashkëshorten dhe djalin e tij, ndërsa punonte si kamarier në qytetin e Durrësit./ZËRI


