TIRANË-Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala ka dhëndë dorëheqjen nga detyra. Mësohet se Sala ka paraqitur dorëheqjen e saj gjatë takimit me kryeministri Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sala ka bërë një bilanc të punës së saj gjatë një viti në krye të ministrisë, duke u ndalur veçanërisht te reforma në onkologji.
Ajo ka falënderuar stafet shëndetësore, qytetarët dhe diasporën shqiptare për kontributin dhe mbështetjen gjatë periudhës së saj në detyrë.
Reagimi i ish-ministres së Shëndetësisë Evis Sala
Një vit më parë, kur m’u besua drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për mua ishte e qartë se duhej të punonim njëkohësisht në dy drejtime: të zgjidhnim problemet e sotme dhe, në të njëjtën kohë, të ndërmerrnim reforma që ndryshojnë shëndetësinë për të nesërmen, me një parim të vetëm në qendër: shërbimi i duhur për çdo pacient.
Një nga tre prioritetet e mia kryesore ka qenë reforma në onkologji. Sot, një vit më pas, kjo reformë ka rezultate konkrete dhe të prekshme.
Për herë të parë kemi ngritur Institutin Kombëtar të Onkologjisë dhe po ndërtojmë Rrjetin Kombëtar Onkologjik. Partneriteti strategjik me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano do të sjellë në Shqipëri modelet më të avancuara europiane të kujdesit onkologjik.
Kemi miratuar tashmë 38 protokolle të unifikuara të trajtimit. Kemi përmirësuar tre prej qendrave ditore të kemioterapisë me parimin: ta çojmë shërbimin pranë pacientit, sa herë që kjo është e mundur dhe e sigurt.
Gjatë këtij viti, garantimi i barnave antitumorale dhe përmirësimi i aksesit në terapitë moderne kanë qenë ndër sfidat tona më të rëndësishme. Në vitin 2026 kemi shtuar 26 milionë euro për barnat antitumorale, kemi futur 21 barna inovative dhe kemi zgjeruar me 23% barnat antitumorale për përdorim spitalor.
Por rezultati më i rëndësishëm nuk është ai që shkruhet në një raport. Është ai që shihet te pacienti. 17% më shumë pacient me kancer janë trajtuar nga ky zgjerim.
Pjesë e reformës në onkologji ka qenë edhe forcimi i radioterapisë dhe i imazherisë. Falë punës dhe përkushtimit të ekipeve, u vu në funksion akseleratori i tretë me teknologji bashkëkohore dhe së shpejti do t’i bashkohet edhe akseleratori i katërt.
Por puna jonë nuk është ndalur tek onkologjia.
Sala mori detyrën më 11 shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri prezantoi qeverinë "Rama 4." Ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht arsyet që e kanë çuar ministren drejt dorëheqjes, por në paraqitjen e dorëheqjes mësohet që ajo të ketë thënë se “do të ndjekë karrierën e saj akademike”. Në prezantimin e saj, Sala u shpreh se objektivi kryesor ishte zgjidhja e rimbursimit të barnave onkologjike./ZËRI