TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga shqyrtimi i çështjes së tij në themel në lidhje me dosjen “Gërdeci”. Avokati Henrik Ligori kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duke iu referuar një vendmarrjeje të Gjykatës së Lartë të muajit korrik 2025, ku gjyqtarja e seancës paraprake ka papajtueshmëri që të shqyrtojë çështjen e themelit.
Sipas avokatit, kjo vendimmarrje përcakton se një gjyqtare që ka vepruar në fazën paraprake të procedurës nuk mund të jetë pjesë e trupit gjykues në shqyrtimin në themel të çështjes, vetëm në rastet kur është gjykim i shkurtuar. Nga ana tjetër, gjyqtarja Irena Gjoka pyeti nëse palët ishin njohur me kërkesën e saj për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes, ndërsa avokati konfirmoi se ishin vënë në dijeni.
Avokati Ligori: Nëse do te shqyrtohet nga ju çështja mund të kthehet sërish. Ne kërkojmë përjashtimin tuaj nga ky gjykim.
Gjyqtarja Gjoka: Ju e keni marre një kërkesë timen për heqjen dore nga ky gjykim?
Avokati Ligori: Po jemi njohur.
Pas përfundimit të seancës, Fatmir Mediu dha një prononcim për gazetarët, ku tha se prokuroria nuk ka sjellë prova, por vetëm akte. Sipas Mediut, "s'mund të vazhdojë një proces me aludime se çfarë ka ndodhur".
“Ato që pretendon prokuroria si prova s’kanë lidhje me ministrin. S’ka akt ligjor kushtetues që ministri mund të ketë bërë shpërdorim detyre. S’mund të vazhdojë një proces me aludime se çfarë ka ndodhur”, tha ndër të tjera Mediu.
Në nëntor 2025 ishte vetë gjyqtarja Gjoka që kërkoi të largohej nga gjykimi i kësaj çështje. Në kërkesën e saj, Gjoka pretendonte se nuk mundet të vijojë shqyrtimin e dosjes penale, pasi ka qenë gjyqtare e seancës paraprake. Por, kryetari i GJKKO-së, Erion Bani, e rrëzoi kërkesën e gjyqtares.
Ish-ministri i Mborjtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI
