LIBRAZHD- Prej katër ditësh, aksi rrugor Librazhd-Prrenjas vijon të jetë problematik, ndërsa situata është përkeqësuar në segmentin e njohur si “Arrat e Gurrës”. Shembja në aksin Librazhd-Prrenjas ka sjellë vështirësi të mëdha për banorët, të cilët janë të detyruar të përdorin rrugën alternative, gati të rrezikshme.
Mësohet se është dëmtuar edhe traseja e rrugës së re, pjesë e Korridorit të VIII. Pritet relacioni i Shërbimit Gjeologjik, me qëllim që të zbulohet arsyeja e situatës së rënduar.
Matjet paraprake treguan se niveli i fundosjes në këtë segment ka arritur nga 5 deri në 9 centimetra. Të dhëna rrisin pasigurinë për stabilitetin e zonës dhe se segmenti vijon të jetë i rrezikshëm për kalimtarët
Ndërkohë, banorët e fshatit Spathar në Librazhd kanë vendosur vetë sinjalistikë orientuese dhe paralajmëruese. Sinjalistikat me emrin e destinacioneve janë vendosur në segmentin rural Spathar-Rruga Antike Egnatia-Dardhë-Hotolisht, i cili po përdoret si rrugë alternative pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas.
Ditën e djeshme, Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një njoftimi të bërë për mediat, bëri me dije se po kryhet rivlerësim gjeologjik në terren. Përballë këtyre kushteve, ARRSH njoftoi akset alternative.
Personat që udhëtojnë me automjete të përdorin rrugët Maliq-Lozhan-Strelc-Gramsh-Elbasan dhe Qafë Thanë-Pogradec-Korçë-Leskovik- Përmet-Tepelenë. Ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë sugjerohet që të përdoren akset rrugore Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit.
Njoftimi i ARRSH:
Qarkullimi do të vazhdojë të jetë i bllokuar në segmentin rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec.
Ky segment, i cili pritej të hapej mesditën e sotme, ka pësuar rrëshqitje masive toke, duke e bërë qarkullimin të pakalueshëm.
Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.
Aktualisht po kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje. Ndërkohë specialistët në terren po shohim mundësinë e lëvizjes vetëm për mjete e vogla dhe të emergjencave në një rrugë në zonën përreth.
ARRSH, për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve, sugjeron përdorimin e akseve alternative si më poshtë:
Për autoveturat:
✓ Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
✓ Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë
Për mjetet e tonazhit të rëndë:
✓ Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit
Duke kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë banorëve të zonës, ju lutemi të ndiqni me kujdes sinjalistikën rrugore si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.