
TIRANË-Trupa e prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm, që sipas sondazheve sot në Shqipëri gëzojnë besimin më të madh mes qytetarëve, sigurisht që nuk janë vetëm Dritan Prençi dhe Irena Gjoka.
Mes tyre ka njerëz me integritet, që të bardhës i thonë të bardhë dhe të zezës i thonë të zezë. Është pikërisht ky grup prokurorësh dhe gjyqtarësh, që sipas sondazheve sot gëzojnë besimin e 70 për qind të shqiptarëve.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për një institucion drejtësie dhe me kompetenca pothuajse autonome brenda një shteti, askush nuk mund ta pengojë SPAK-un që të përmirësojë vetveten, duke shkuar pse jo edhe në 100 për qind të besimit qytetar.
Por, pse nuk ndodh kjo? Një arsye mund të jetë edhe mungesa e guximit të SPAK për të pastruar vetveten nga njerëz që dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, ose kanë manipuluar, apo fshehur provat, si në rastin e prokurorit Dritan Prençi dhe gjyqtares, Irena Gjoka.
Sipas ligjit në fuqi, hetimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm është kompetencë e SPAK-ut. Kjo do të thotë se SPAK dhe prokurorët e gjyqtarët e ndershëm mes tyre kanë të gjitha mjetet dhe lirinë që të hetojnë dyshimet se prokurori Dritan Prençi dhe gjyqtarja, Irena Gjoka fshehën provat që implikojnë kolegun e tyre, Ened Nakuçi në dosjen e trafikut ndërkombëtar të drogës, të koduar ‘Shpirti’.
Refuzimi për ta bërë këtë, njollos jo vetëm punën e SPAK-ut, por zbeh besimin e qytetarëve te drejtësia e re, si dhe nxit akuzat e dyshimet se në vend po zbatohet postulati i ‘Drejtësisë me regji’./Voxnews