TIRANË- Çfarë ka rezervuar ‘fati’ në vitin 2026 për skenën politike? Hetime, masa sigurie, dosje në drejtim të korrupsionit të lartë në Shqipëri dhe seanca të zgjatura ndër vite presin të marrin formën e një vendimi të prerë për disa nga figurat e larta politike këtë vit. Një ish-kryeministër, një kryebashkiak, një ish-zëvendëskryeministër, një ish-president, një ish-deputete dhe dy ish-ministra presin të përballen me verdiktet e gjykatës, të cilat do të përmbyllin hallkat e zinxhirit për çështjet e ‘nxehta’ që çuan figurat politike pas hekurave, në arrati apo në dyert e gjykatave.
Gjykata pritet të shprehet për ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, ish-presidentin Ilir Meta, ish-deputeten Monika Kryemadhi, ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Dosjet e tyre tashmë po gjykohen në seancat gjyqësore, por le të shohim deri ku ka arritur gjykimi i tyre, me kundërshtime dhe rekurse në shkallët e gjyqësorit…
Tragjedia e ‘Gërdecit’, që u mori jetën 26 personave dhe rreth 300 të tjerë mbetën të plagosur-17 vjet që pret drejtësi, me gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.
Ish-ministri i Mbrojtjes po gjykohet për dosjen “Gërdeci”, i dyshuar për “shpërdorim detyre”. Më 9 tetor 2024, GJKKO refuzoi kërkesën e Mediut për riekspertim pjesor për kostot e dëmit financiar të shkaktuar në fabrikë. SPAK deklaron se nga akti i ekspertimit financiar dalin dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e Mediut, gjë që sipas organit të akuzës provon shpërdorimin e detyrës prej tij. Këto pretendime janë kundërshtuar nga Mediu. Procesi po zvarritet ndër vite, ndërsa një verdikt i gjykatës pritet në 2026. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Mediu nuk është i vetmi ish-ministër në pritje të një vendimi gjykate. Ish-ministri i Shëndetësisë, i arrestuar që prej 4 korrikut 2024, në vitin 2026 pritet final për çështjet që rëndojnë ndaj tij.
Beqaj ndodhet në burg për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Por ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, po gjykohet edhe për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tenderë të firmosur, për sterilizimin dhe check-up-in. Lidhur me dosjen ‘Sterilizimi’, vendimi pritet të shpallet më 4 mars 2026 për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj, për tre ish-zyrtarët Petref Mersini, Marsela Serjanaj dhe Sajmir Kadiu dhe për mjekun Arben Gjata. Në këtë proces Beqaj po hetohet veç. Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për t’i shfuqizuar masën e “arrestit në burg”, ndërsa seancat vazhdojnë.
Dosja ‘Partizani’ – Në tetor 2023, ish-kryeministri Sali Berisha vendoset në ‘arrest shtëpie’, arrestohet dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Prej vitit 2023 një çështje ka vendosur përballë edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cila, pas tre vitesh tashmë me masa arresti dhe detyrim paraqitjeje, pritet të mbyllet me një vendim.
Hetimet për dosjen Partizani nisën në vitin 2020 dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t’u kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit qëndroi në masën e arrestit shtëpiak rreth 20 muaj. E njëjta masë ndoqi edhe kreun e PD-së, Sali Berisha. GJKKO caktoi fillimisht ndaj kreut të Partisë Demokratike masën "detyrim paraqitjeje", por duke qenë se kjo masë nuk u respektua nga Berisha, hetuesit kërkuan ashpërsimin e masës, duke e lënë liderin e opozitës në "arrest shtëpie". Berisha qëndroi në arrest shtëpie 331 ditë, prej 30 dhjetorit 2023. Kryedemokrati ndoqi të gjitha shkallët e gjyqësorit për heqjen e masës së sigurisë dhe dosja i kaloi Gjykatës Kushtetuese, e cila u shpreh për këtë masë më 15 janar të këtij viti. Kushtetuesja konstatoi se masa e arrestit shtëpiak ndaj liderit të opozitës është mbajtur përtej afatit të arsyeshëm. Gjykata Kushtetuese ka pranuar edhe kërkesën e Sali Berishës për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e masës së vendosur "detyrim paraqitjeje" për çështjen “Partizani”, ndërsa data e seancës nuk është përcaktuar ende. Njëherësh, seancat vijojnë në GJKKO, ndërsa pritet një verdikt në lidhje me të pandehurit.
Një tjetër çështje ka marrë formë në vitin 2026! Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për “shpërdorim detyre” gjatë procesit të privatizimit të ndërmarrjes “Buka” sh.a., duke shkaktuar një dëm prej miliona eurosh në buxhetin e shtetit.
Hetimi për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili po hetohet për dosjen e inceneratorëve, është shtyrë disa herë radhazi dhe vetëm në mars të 2026 pritet nga SPAK nëse do të vendosë për kalimin ose jo për gjykim të çështjes. Por, teksa konkluzionet për inceneratorët nuk janë përmbyllur, Ahmetaj është në gjyq për dosjen “Buka”. Arben Ahmetaj, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, zhvilloi ankandin për shitjen e aksioneve të “Buka” sh.a. në vitin 2015, ku iu kalua biznesmenit Fezollari edhe prona që u është njohur trashëgimtarëve të ish-pronarit të shpronësuar në vitin 1945 nga regjimi komunist. Dëmi që llogaritet nga privatizimi i ish-fabrikës së bukës është rreth 700 milionë lekë. Ish-zv.kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj, është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “korrupsion pasiv”, “fshehje pasurie” dhe “pastrim parash”.
Ndodhur në kushtet e arratisë, GJKKO në fillim të shkurtit vendosi që Ahmetaj të dëshmojë me audio ose videokonferencë në lidhje me akuzën për shpërdorim detyre për privatizimin e ish-fabrikës së bukës. Në seancën e radhës është kërkuar që të thirren dhe të pyeten disa shtetas si dëshmitarë. Në përfundim të deklaratave të dëshmitarëve, Ahmetaj do të njihet me verdiktin.
Prej 21 tetorit të vitit 2024, ish-presidenti Ilir Meta, njëherësh kreu i Partisë së Lirisë, ndodhet në burg.
Meta ka kërkuar rrëzimin e masës “arrest në burg” si në Gjykatën Kushtetuese, ashtu edhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Kushtetuesja pritet të vendosë më 8 prill 2026. Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Çifti, tashmë i divorcuar ligjërisht, akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Seancat maratonë janë drejt përfundimit, ku janë dhënë edhe parashtrimet nga ana e Ilir Metës para trupës gjykuese në GJKKO. Gjykata e Posaçme do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet për hetim në Prokurorinë e Posaçme.
Një tjetër çështje e bujshme, e cila pritet të marrë verdiktin, është ajo e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Një vit më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj nga zyra u vendos në qeli. Veliaj u arrestua mesditën e 10 shkurtit 2025. Agjentë të SPAK-ut dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në ambientet e Bashkisë së Tiranës dhe më pas në banesën e tij, duke zbatuar urdhrin e arrestit të lëshuar nga Gjykata e Posaçme. Në një vit, fati i Veliajt është ‘peng’, me heqje nga posti, rikthim në detyrë dhe rekurse nëpër gjykata.
Veliaj, së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe 'refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim'. Seancat paraprake në GJKKO për shqyrtimin e dosjes kanë filluar, ndërsa Kushtetuesja kalon në seancë çështjen ndaj Veliajt. Në nëntor të 2025, Erion Veliaj dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit “arrest me burg” ndaj funksionarit publik. Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimi për shkarkimin e tij u mor më datë 25.09.2025 nga Këshilli i Ministrave, duke e vlerësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në final, këto procese pritet të jenë një pikë kthese për drejtësinë dhe politikën shqiptare, pasi një sërë dosjesh të bujshme që prej vitesh kanë dominuar debatet publike po afrohen drejt verdikteve përfundimtare. Vendimet që do të japin gjykatat nuk do të përcaktojnë vetëm fatin personal të figurave të përfshira, por edhe besimin e publikut te funksionimi i shtetit ligjor dhe barazia para drejtësisë. Pas një dekade hetimesh, apelimesh dhe përplasjesh procedurale, sistemi gjyqësor po hyn në fazën ku pritet të japë përgjigje përfundimtare për disa nga çështjet më të nxehta të tranzicionit politik shqiptar.
Nëse këto procese do të prodhojnë standarde të reja llogaridhënieje apo do të thellojnë skepticizmin publik, kjo mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: vendimet e vitit 2026 do të kenë peshë historike, jo vetëm për personat nën akuzë, por për vetë mënyrën se si do të perceptohet drejtësia dhe përgjegjësia politike në Shqipëri për vitet që vijnë./ZËRI