TIRANË-Pas skandalit ku u helmuan 56 studentë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar mensën e Akademisë së Sigurisë. Sipas informacioneve, analizat kanë treguar se mensa është jashtë kushteve normale higjienike dhe për këtë arsye, AKU i ka vendosur shiritin.
Akademia e Sigurisë e merr ushqimin me katering te kompania “Sori Al” dhe më pas studentët ushqehen në mensën e akademisë, mensë e cila pas analizave ka rezultuar jashtë çdo standardi higjenik.
Ngjarja e rëndë në Akademinë e Sigurisë u raportua më 7 maj, ku 56 studentë të këtij institucioni përfunduan në spital, pasi dyshohet se u helmuan nga ushqimi gjatë konsumimit të vaktit të drekës. Pas konsumimit të drekës, studentët kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje barku. Ata janë transportuar në spital ku kanë marrë mjekim dhe janë rikthyer sërish në akademi. Policia njoftoi se janë arrestuar kuzhinieri dhe teknologia e kompanisë katering, ndërsa është shpallur në kërkim administratorja, Alma Tafani.
AKU ka bllokuar mbi 150 kg produkte ushqimore, si dhe vendosjen e një gjobe prej 100 mijë lekësh ndaj subjektit. ZËRI ka siguruar menunë ushqimore që kanë konsumuar studentët, ku është konstatuar uthull e kontaminuar me krimba./ZËRI