LEZHË-Kryebashkiaku socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu dhe Partia Demokratike në Lezhë kanë reaguar në lidhje me dhunimin barbar të ish-kreut të PD-së Lezhë, Sokol Toma, i cili u godit nga disa persona të paidentifikuara, të cilët i thyen këmbët dhe i prenë veshin. Në reagimet në rrjete sociale dënohet akti i dhunë dhe u bëhet thirrje autoriteteve që të bëjë maksimumin për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë sa më parë.
Reagimi i Pjerin Ndreut:
Aktet e shëmtuara të dhunës janë sinjale negative që dëmtojnë dhe ndotin shoqërinë tonë. Dënoj me forcë ngjarjen e rëndë të ndodhur ndaj një anëtari të komunitetit lezhjan.
Kushdo që e ka menduar, organizuar apo kryer këtë akt duhet ta dijë se ligji, herët a vonë, të gjen dhe të vendos përpara përgjegjësisë. Edhe më të papranueshme janë banalitetet mediatike dhe spekulimet për “prerje veshi”, të cilat vetëm sa shtojnë ankthin dhe disinformojnë opinionin publik. I kam kërkuar drejtuesve vendorë të policisë të bëjnë maksimumin për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë sa më parë.
Lezha nuk mund dhe nuk do të pajtohet kurrë me dhunën, frikën dhe aktet kriminale që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë. Kushdo që perdor gjuhë të dhunshme, duhet të ndalë dhe të reflektojë pasi komunitetit lezhjan nuk ka asnjë lidhje me sjellje banale presioni dhe dhunë që herë pas here shfaqen!
Reagimi i Partisë Demokratike:
Kjo ngjarje është tronditëse dhe e papranueshme për çdo shoqëri demokratike, ndërsa përbën një tjetër këmbanë alarmi për gjendjen e rëndë të rendit dhe sigurisë publike në Lezhë dhe të gjithë vendin. I kërkojmë Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të veprojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë. Çdo vonesë, heshtje apo tentativë për të relativizuar raste të tilla vetëm sa rrit mosbesimin e qytetarëve tek institucionet dhe inkurajon klimën e pandëshkueshmërisë.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e 9 majit në aksin rrugor Mamurras-Laç, në zonën e Sanxhakut. Sokol Toma u dhunua nga persona të maskuar me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup. Policia ka njoftuar se janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në një territor të gjerë, ndërsa po kryhen edhe veprime të tjera hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve./ZËRI
